E Shtunë, 31 Tetor 2026

Civilizimi si pjesë e pashmangshme e globalizimit

05-01-2013 / Nga Ilda Mihali

Civilizimin, një pjesë e mirë e njerëzve e lidhin me mirëqenien materiale dhe një pjesë tjetër me një jetë luksi. Dhe kështu rëndom civilizimi ngatërrohet me sofistikimin. Shpesh civilizimi definohet si zhvillimi social i një shteti por edhe si zhvillim intelektual ,kulturor dhe moral. Civilizimi, i cili merr rëndësinë e tij në shekullin e lX, mbart në thelb teknologjinë. Teknologji e cila gjithnjë e më tepër i ka dhënë një dorë lehtësimit të punës fizike. Në fakt kjo teknologji e cila deri diku përkthehet në civilizim a e ka ndihmuar zhvillimin ekonomik? Por civilizimi dhe civilizimi perëndimor duket se nuk janë e njëjta gjë. Gjithkush duhet të përpiqet të kuptojë civilizimin brenda një konteksti të caktuar. Ta kuptojë dhe përthithë atë brenda kufijve të jetës që bën. Ne parapëlqejmë të mendojmë se civilizimi ka prejardhjen e tij nga antikiteti grek, romak apo kishat kristiane. Ne e lidhim civilizimin me katedralet, grataçelat, pikturat, Shekspirin, Tolstoin, Servantesin, Ajnshatajnin. Në fakt civilizimi lidhet me shpirtin dhe me aftësinë e tij për t’u manifestuar. Civilizimin shpesh e lidhim me tolerancën,lirinë e të shprehurit ,demokracinë dhe jo me varfërinë, divorcin, krimin dhe varësinë ndaj drogës. Është krijuar shpesh ideja se vendet e mëdha kanë dhe më të zhvilluar civilizimin por a mbetet kjo vërtet për t’u besuar? Civilizimi padyshim në një hallkë të tij lidhet me mirëqenien,por jo detyrimisht vendet e mëdha dhe të zhvilluara janë të vetmet që ecin në rrugët e civilizimit. Nëse i referohemi vetëm numrit të studentëve që ndjekin studimet jashtë vendit të tyre,qoftë ky vend perëndimor apo lindor, detyrimisht bëhesh pjesë e një kulture dhe edukimi të ndryshëm nga ai i vendit tënd. Dhe civilizimi merr kuptim pikërisht në këtë pikë: Të përshtatesh dhe të respektosh zakonet dhe traditat e një vendi, të përqafosh një mënyrë të caktuar jetese për shkak të rrethanave, të pranosh që ndonjëherë je gabim se konteksti e gjykon të tillë; të gjitha këto janë tipare të civilizimit. Ky i fundit mbetet për gjithkënd një sfidë personale dhe më shumë sesa kaq mbetet një zgjedhje. Të jesh një njeri i civilizuar jo detyrimisht do të thotë të jesh i shumë shkolluar, nuk do të thotë detyrimisht të kesh një profesion të mirë, nuk do të thotë detyrimisht të kesh shumë para. Të jesh i tillë do të thotë të shohësh përtej hijes tënde jo për t’u marrë me punët e të tjerëve por për të kuptuar se një problem ka disa zgjidhje dhe se zgjidhja e një problemi në një formë ose tjetër mund të jetë e mirë ose jo por prapë mbetet një zgjidhje për t’u respektuar. Një tjetër tipar i civilizimit është zemërgjerësia. Zemërgjerësia për të mos i vënë kapakun një çështjeje me mendimin e parë por për ta rimenduar dhe për të bërë më të mirën e mundshme, zemërgjerësia për të mos shpallur luftë përballë një konflikti por për të gjetur mënyrat për ta zbutur atë, zemërgjerësia për të mos vënë dikë në pozita të pakëndshme kur kjo mund të jetë shumë mirë e shmangshme. Dhe nëse shkojmë pak më tej a mund të kishim një zhvillim të artit dhe shkencës nëse s’do kishim njerëz të civilizuar, njerëz që njohin shumë kultura dhe që bëjnë art me to? Pra civilizimi është veçse i mirë, dhe prej tij veçse mund të përfitohet. Me njerëz të civilizuar nuk mbetesh kurrë në stanjacion, mund të bësh veçse përpara,mund të kesh veçse tolerancë dhe largpamësi .

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›