Çmimet/ Berisha thirrje qeverisë: Të përgjysmohet taksimi i naftës dhe të subvencionohen biletat e transportit

Kryetari i PD i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit Sali Berisha ka kërkuar nga qeveria përgjysmimin e taksimit të naftës si dhe të subvencionojë biletat e transportit urban dhe interurban.
Në një dalje për mediat Berisha paralajmëroi revoltë qytetare për përmbushjen e këtyre kërkesave dhe të tjerave që janë të parashikuara në programin e Partisë Demokratike.
“Për shkak së pari të çmimeve stratosferike, të krijuara në mënyrën më artificiale nga bordet e Edi Ramës. Për shkak të përdorimit të të ardhurave buxhetore nga Edi Rama dhe qeveria e tij në funksion të vjedhjes dhe shpërdorimit të tyre masiv, siç është rasti i disbursimit të vazhdueshëm të fondeve publike mbi veprën e krimit, të cilësuar të tillë, djegësat e Fierit dhe Tiranës.
PD kërkon vendosjen e menjëhershme të subvencionimit të plotë të të gjitha bileta të transportit urban dhe interurban. Ky propozim nuk është i pabazuar, por është i bazuar në një praktikë të cilën kanë vendosur një seri vendesh europiane.
Së dyti PD kërkon përgjysmimin e menjëhershëm të taksimit të naftës i cili në vendin tonë në vlerën 1.1 euro është më i larti në botë.
E di që Rama me arrogancë nuk do t’i pranojë por e garantoj se qytetarët me revoltën e ardhshme do të vendosin për këto kërkesa dhe kërkesa të tjera të programit të emergjencës së PD“, tha Berisha.
/rtsh.al/