E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Çmimet e larta në bregdet, Rama: Kush vë çmime jashtë logjike, i paguan vetë

Kryeministri Edi Rama ka folur për çmimet e larta në zonat bregdetare gjatë këtij sezoni veror, ku pushuesit shqiptarë po shprehin gjithnjë e më shumë ankesat për abuzimin që bëhet me çmimet në vendet turistike. Rama tha se nëse do të ketë abuzime apo jo do të analizohet në fund të sezonit, por shtoi se nëse dikush vë çmime jashtë logjike do i paguajë vetë.

Kryeministri tha se Shqipëria është një vend konkurrent për turizmin ku gjithnjë e më shumë po përthith turistë të huaj, por shtoi se nuk duhet t’i bien në top me çmimet. Ai i bëri thirrje biznesit se duhet të mësojë nga vendet e tjera që janë më të vjetër se Shqipëria në fushën e turizmit, pasi konkurrenca nuk është një lojë e lehtë.

“Ne jemi në një ekonomi tregu dhe pa e përkrahur konstatimin, mendoj që është i nxituar lidhur me sezonin sepse kemi shifrat e vizitorëve të huaj që hyjnë në vendin tonë, nuk flasim thjesht për shqiptarë që vijnë në këtë periudhë pushimesh. Numri i vizitorëve të huaj në këtë 6 mujor të parë, akoma nuk kemi shifrat e korrikut është shumë më i lartë se i viteve të shkuara. Nëse ka problem me çmimet e larta, është për tu analizuar në fund. Nëse dikush vendos çmim jashtë logjike dhe nuk i vjen njeri, ky është një dëm që vetes së vet do ia paguajë vetë, nuk do presë që t’ia paguajë shteti. Nëse në fund do të ketë këtë konstatim do kuptohet që për të qenë konkurrues në një rajon ku konkurrenca nuk është lojë e thjeshtë, duhet menduar mirë para se të vihen çmimet. Po qe kështu, ky sezon do bëhet mësim i madh për sezonin tjetër. Kështu mësojnë vendet që rriten dhe maturohen e janë shumë më të vjetër se ne në këtë lojë. Ndodhemi në mes të konkurrentëve të fortë të Mesdheut. Këtu nuk mund të mendojmë që meqë u hap nami i Shqipërisë për të ardhur si një vend, për tu zbuluar me të gjitha magjitë e veta, hajde se po u biem me top çmimeve”, tha Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›