Berisha thirrje SPAK: Hetoni sarajet e Ramës dhe pallatin e familjes së Bashës! Mega-aferë në Porto Romano

Kryetari i Partisë Demokratike i zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha ka folur me tone të forta në Kuvend në drejtim të qeverisë. Berisha i bëri thirrje SPAK që të hetojë sarajet e Kryeministrit, pallatin e familjes së deputetit Lulzim Basha, Edi Ramën, Arben Ahmetajn dhe Erion Veliajn për aferën e djegësave.
“Po paguani qimet e kokës të Sadushët për të afruar proceset gjyqësore. Do paguani shumëfishin e asaj që paguanit më parë. Të paguarit e partisë janë të betuarit të saj për të marrë çdo vendim në favor të qeverisë. Pse nuk heton SPAK sarajet e Edi Ramës me gjatësi themele 75 me 57.
Pse nuk hetojnë pallatin e familjes Basha për të cilin nuk kanë asnjë faturë por shpërblejnë ndërtuesin vetëm para tre javësh me 11 mln euro, me 99% të fondit limit dhe i vetëm në garë. Pse nuk hetojnë Edi Ramën dhe Arben Ahmetaj, dhe Erion Velinë për aferën e tmerrshme të djegësave”, deklaroi Berisha.
Ndërkohë jashtë Kuvendit, në një prononcim për media, Berisha shprehu vendosmërinë e PD për të ruajtuar bashkëpunimin me NATO duke premtuar se kur të vij në pushtet do i ofrojë aleancës lehtësira aeroportuale për përmbushjen e misionit të madh. Berisha e cilësoi një mega-aferë të tmerrshme lajmin e Ramës se në Porto Romano do të ndërtohet një bazë ushtarake e NATO-s.
“PD mbetet e vendosur për një bashkëpunim sa më të ngushtë me aleancën (NATO) dhe garantoj sërish se është e gatshme t’i ofrojë nesër në pushtet aleancës të gjitha lehtësirat aeroportuale e të tjera, që asaj i duhen për përmbushjen e misionit të madh. E përshëndes faktin se nuk e përtypi mashtrimin e paskrupullt të Edi Ramës, i cili për të mbuluar mega-aferën e tmerrshme me Elamanin të përvetësimit të 1 mijë m2 tokë në Durrës, kërkon ta bëjë këtë me angazhimin e NATO në Porto Romano. Ky propozim i Ramës është një mega-skandal që kërkon të përdorë reputacionin e jashtëzakonshëm që ka aleanca për qëllime të veta korruptive.
Pata kënaqësinë e madhe të konstatoj se në konferencën e shtypi, ndonëse Rama nisi recitimin e tij me Porto Romanin dhe portin e madhërishëm që do të ndërtohej, sekretari i NATO bëri sikur nuk kishte dëgjuar asnjë fjalë nga bashkëbiseduesi dhe foli për kontributin e Shqipërisë, për rolin e saj, për Ballkanin dhe unë e përshëndes përzemërsisht. Nga ana tjetër, shtoj këtu se është guxim i madh të dalësh e të shëtisësh në një kohë kur ke damkën e një mega-korruptori, e një persekutori të fjalës së lirë, në një kohë kur bën gjithçka për të larë paratë e krimit dhe për të bërë vendin tënd simbol të drogës dhe krimit”, tha ai.
/rtsh.al/