Çmimi “Lumo Skëndo” 2024 – Triumfon Rexhep Qosja me veprën “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën”
Akademiku Rexhep Qosja është shpallur fituesi i Çmimit “Lumo Skëndo” për vitin 2024.
Libri i tij “Për lirinë, të vërtetën dhe të drejtën” është vlerësuar si vepra më e mirë në lëmin e publicistikës dhe eseistikës.
Juria e kryesuar nga Belina Budini dhe me anëtarë Uran Butka, Anastas Angjeli, Rudina Xhunga, Aida Tuci e vlerësuan veprën publicistike të Rexhep Qosjes me motivacionin: “përmes analizave të tij të mprehta dhe studimeve të thelluara mbi gjuhën shqipe, akademiku Rexhep Qosja ka dhënë një kontribut të çmuar në zhvillimin e mendimit kritik dhe në forcimin e vetëdijes kombëtare”.
Për arsye shëndetësore, akademiku Rexhep Qosja nuk ishte i pranishëm në ceremoni, por nëpërmjet një videomesazhi ai falenderoi jurinë për vlerësimin dhe çmoi figurën e Lumo Skëndos.
Një vit më parë, fitues i Çmimit “Lumo Skëndo” ishte Ilir Ikonomi me librin “Fan Noli”- Apostulli”.
Dy vite më parë, fitues i Çmimit “Lumo Skëndo” ishte Ben Blushi me librin “41 Sekrete”.
Ndërsa tri vite më parë, që u mbajt edhe edicioni i parë, fituese e çmimit “Lumo Skëndo” për veprën më të mirë në fushën e publicistikës dhe eseistikës për vitin 2021 ishte Lea Ypi me librin “Të lirë”.
RTSH