Dodik i gatshëm për dialog, por kërkon që i dërguari ndërkombëtar të anulojë vendimet e tij

Milorad Dodik, kreu i entitetit serb të Bosnjë-Herzegovinës, Republikës Sërpska, ka shprehur gatishmëri për dialog, si dhe për ngrirjen e të ashtuquajturave ligje separatiste për të cilat është akuzuar se ka minuar kushtetutën e vendit.
Por kushti që paraqiti të enjten Dodiku ishte që Christian Schmidt, i dërguari ndërkombëtar i cili përgjigjet për mbikëqyrjen e Marrëveshjes së Dejtonit, që i dha fund luftës së viteve ’90 në Bosnjë, të tërhiqet nga të gjitha vendimet e tij.
Prej kohësh mes Dodikut dhe Schmidt ka pasur tensione dhe në fillim të këtij viti presidenti i Republikës Sërpska u dënua me një vit burg dhe me ndalim për gjashtë vite të kryerjes së funksioneve publike për moszbatim të urdhrave të Schmidt, çka u pasua me miratimin në Asamblenë Kombëtare të Republikës Sërpska të ligjeve që ndalonin organet gjyqësore dhe hetimore federale për të vepruar në entitetin serb.
Ndaj udhëheqësit të serbëve të Bosnjës, i cili nuk e ka pranuar vendimin dhe ka refuzuar të paraqitet para gjykatës, është lëshuar një urdhërarrest federal. Në një postim në rrjetin social X Dodik u shpreh se e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo situatë është anulimi i vullnetarizmit të Schmidt dhe i të gjitha vendimeve që ai ka vulosur.
“Në këtë rast, Republika Sërpksa është e gatshme të ngrijë përkohësisht ligjet e miratuara së fundmi nga Kuvendi Kombëtar,” tha ai.
Një ditë më parë presidenti francez Emmanuel Macron u takua në Paris me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e vizitoi Bosnjën të martën.
Dodiku ka edhe pasaportë serbe, ndërsa Bosnja është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Nga Bosnja, Kallas paralajmëroi se blloku nuk pranonte asnjë kërcënim ndaj së ardhmes së vendit dhe se kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës është guri themeltar i paqes që duhet respektuar. Ndërkohë Macron theksoi se ishte përgjegjësia e të gjithëve që të ruhej rendi kushtetues.
“Mirëpres mesazhet e Macron dhe Kallas dhe të atyre që bëjnë thirrje për respektim të rendit kushtetues, por nëse Kallas beson se ky rend është ai që Schmidt ka vendosur, atëherë nuk po kuptohemi aspak,” shkroi Dodik, i cili përveçse i sanksionuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, që nga java e shkuar i është ndaluar hyrja edhe në Gjermani dhe Austri.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/