Çmimi i Madh i Kanadasë, triumfon Verstapen

Një tjetër pistë, një tjetër fitore dhe një tjetër rekord, që gjithnjë e më tepër po mban vulën e tij, edhe pse ende nuk kemi mbërritur në gjysmën e garave. Maks Verstapeni ka ngadhënjyer në garën e 9-të të këtij sezoni, në pistën “Zhil Villnëv” të Montrealit, duke korrur fitoren e tij të 6 këtë sezon dhe, për më tepër, ka siguruar edhe triumfin e 100-të të skuadrës së tij, “Red Bull”-it, në garat e Botërorit të Formulës 1.
Në fakt, sikundër po ndodh në shumicën garave të këtij sezoni, ku edhe dy tjerat janë fituar nga piloti tjetër i “Red Bull”-it, Serxhio Perez, ndërsa gara e Emilja-Romanjës nuk u zhvillua për shkak të përmbytjeve, edhe Çmimi i Madh i Kanadasë, që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka parë pilotin holandez të niset nga vendi i parë dhe ta ruajë atë deri në fund të 70-të xhirove të kësaj gare, duke i lënë rivalët prapa tij të kënaqen me betejën me njëri-tjetrin.
Dhe kështu ka ndodhur edhe të dielën, aty ku betejën e vërtetë e kanë zhvilluar veteranët Fernando Alonso dhe Ljuis Hemilton, me britanikun u nis nga vendi i 3-të dhe rrëmbeu menjëherë vendin e dytë, por me spanjollin që e rifitoi atë më vonë dhe bashkë me të mori edhe shkallën e dytë të podiumit, duke e lënë 7-herë “kampionin e botës” të kënaqej me shkallën më të ulët.
Piloti tjetër i “Mercedes”-it, Xhorxh Rasëll, u tërhoq nga gara në xhiron e 55-të, për shkak të një avarie, ndërsa dy pilotët e “Ferrari”-t, Sharl Lëklerk dhe Karlos Sainz, morën vendin e 4-t dhe të 5-të, të ndjekur nga piloti tjetër i “Red Bull”-it, Serxhio Perez. 10-shen e të parëve e plotësuan Aleksandër Albon, Sebastian Okon, Lens Stroll dhe Valteri Botas.
Rezultati i garës:
- Max Verstappen (Red Bull)
- Fernando Alonso (Aston Martin)
- Lewis Hamilton (Mercedes)
- Charles Leclerc (Ferrari)
- Carlos Sainz (Ferrari)
- Sergio Perez (Red Bull)
- Alexander Albon (Williams)
- Esteban Ocon (Alpine)
- Lance Stroll (Aston Martin)
- Valtteri Bottas (Alfa Romeo)
- Oscar Piastri (McLaren)
- Pierre Gasly (Alpine)
- Lando Norris (McLaren)
- Yuki Tsunoda (AlphaTauri)
- Nico Hulkenberg (Haas)
- Zhou Guanyu (Alfa Romeo)
- Kevin Magnussen (Haas)
- Nyck De Vries (AlphaTauri)
OUT
Logan Sargeant (Williams)
George Russell (Mercedes)