Çmimi mesatar i banesave për m² në Europë, ku qëndron Tirana?

Tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë vijon me një çmim mesatar prej rreth 1,500 euro për metër katror, ndërsa mesatarja e përgjithshme arrin në rreth 1,800 euro për metër katror.
Kjo diferencë reflekton ndikimin e pronave premium në zonat qendrore, ku kërkesa mbetet e lartë, veçanërisht në Bllok dhe pranë Liqenit Artificial.
Apartamentet e vogla në këto zona shiten më shtrenjtë për metër katror për shkak të ofertës së kufizuar dhe interesit të fortë, përfshirë edhe nga emigrantët.
Në krahun tjetër, apartamentet më të mëdha dhe më të vjetra në periferitë si Astiri apo Lapraka ofrohen me çmime më të ulëta për metër katror, për shkak të distancës nga qendra dhe standardeve më të vjetra të ndërtimit.
Kur krahasohet me kryeqytetet europiane, sipas të dhënave nga “Global Property Guide“, Tirana mbetet dukshëm më e përballueshme.
Në qytete si Berlini, Milano dhe Madridi, çmimet për metër katror variojnë nga 5,300 deri në 5,700 euro, ndërsa në qytete si Amsterdami dhe Oslo ato kalojnë 9,000 euro.
Parisi arrin 9,678 euro për metër katror, Londra 8,466 euro, ndërsa Zyrihu dhe Luksemburgu renditen ndër më të shtrenjtët me mbi 18,000 dhe 11,000 euro për metër katror.
Gjithashtu vlen të përmendet se në këto qytete dhe pagat dhe mirëqënia e qytetarëve mbetet e lartë.

LEXO EDHE: Qiratë në Shqipëri ndër më fitimprurëset në Europë/ Ja në cilat qytete investimi kthehet më shpejt