Çmontohet rrjeti i paligjshëm i telekomunikacionit në Nju Jork

Shërbimi Sekret Amerikan, agjencia e ngarkuar me mbrojtjen e udhëheqësve politikë amerikanë dhe të huaj, njoftoi këtë martë se arriti të çmontojë një rrjet të madh pajisjesh elektronike, që mund të nxirrnin jashtë funksionit rrjetin e telekomunikacionit të Nju Jorkut përpara Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Sipas agjencisë u zbuluan 300 servera SIM të vendosur së bashku dhe 100 mijë karta SIM në zona të shumta në Nju Jork.
“Po kryejmë një hetim aktiv mbi rrjetin e atyre pajisjeve elektonike, ndërsa jemi duke vijuar me ekzaminimet e të dhënave. Analizat e hershme tregojnë komunikime celulare mes aktorëve të huaj dhe individëve të njohur për zbatimin e ligjit federal.”- njoftoi Shërbimi Sekret Amerikan duke shtuar se pajisjet e sekuestruara nuk përbëjnë më kërcënim.
“Ne do të vazhdojmë të punojmë për identifikimin e përgjegjësve dhe qëllimin e tyre, duke përfshirë nëse plani i tyre ishte të prishnin Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe komunikimet e qeverisë dhe personelit të emergjencës gjatë vizitave zyrtare të udhëheqësve botërorë në dhe përreth Nju Jorkut.”- theksoi ajo agjenci.
Njoftimi i Shërbimit Sekret Amerikan erdhi pak para se presidenti Donald Trump të fliste në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/