Trump ofron mbështetje të kushtëzuar për NATO-n, shmang detajet në takimin me Zelenskyn

Gjatë takimeve dypalëshe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shprehur një qëndrim të dyzuar, duke ofruar mbështetje për aleatët e NATO-s, por pa dhënë detaje konkrete mbi mënyrën se si do të vepronte SHBA.
Në një takim me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, Trump u pyet nga gazetarët nëse do të mbështeste vendet anëtare të NATO-s që rrëzojnë avionë rusë nëse ata shkelin hapësirën e tyre ajrore. Në një moment, ai u përgjigj me një “Po, e mbështes”, por më vonë, i pyetur sërish, tha: “Varet nga rrethanat”. Kjo paqartësi, e cilësuar nga analistët si “paqartësi strategjike”, lë shumë pasiguri për udhëheqësit botërorë rreth rolit të ardhshëm të SHBA-së.
Trump nuk ofroi detaje as për bisedimet e mundshme me Presidentin rus, Vladimir Putin, duke deklaruar se do të njoftonte botën “rreth një muaj nga tani”.
Ndërkohë, Trump shprehu vlerësim për ushtarët ukrainas, duke i quajtur të “mahnitshëm” për ndalimin e një ushtrie ruse, të cilën e cilësoi si “të tmerrshme”. Ai vuri në dukje se lufta, e cila parashikohej të përfundonte në pak ditë, duket se nuk do të mbarojë shpejt.
Takimi me Zelenskyn ishte pjesë e një sërë takimesh që Trump zhvilloi me udhëheqës të ndryshëm, përfshirë Ursula von der Leyen dhe Javier Milei. Në këto takime, ai u tregua më i sjellshëm dhe lëvdues, ndryshe nga toni i ashpër i fjalimit të tij të mëparshëm.
/rtsh.al/