Coco Chanel - Legjenda dhe jeta

Coco Chanel ishte një nga emrat më të mëdhenj të të gjitha kohërave në modën franceze. Ajo vdiq në vitin 1971 në moshën 87 vjeçare. Jeta e saj, e ngjashme me një përrallë, ka frymëzuar filma dhe ekranizime të ndryshme.
Edhe për autorët e librave, historia e jetës së saj ka qenë tërheqëse. “Coco Chanel; legjenda dhe jeta”, është libri i fundit që eksploron atë që autorja e quan ‘sekreti’ i Chanelit.
Gabriela ishte emri që iu vendos Chanelit.
“Ajo ishte fëmijë i jashtëligjshëm. Babai i saj nuk ishte i pranishëm gjatë rritjes së saj. Nuk ishte shumë i përgjegjshëm”.
Shkrimtarja e modës Justine Picardie ka shkruar librin “Coco Chanel: legjenda dhe jeta”, libri i fundit për stilisten e famshme. Ndonëse i ati i Chanelit mungoi në jetën e saj, ai pati një ndikim të madh tek ajo.
“Babai i saj ishte një tregtar ambulant i cili ishte tërë kohën në lëvizje. Ai shiste kopsa dhe fjongo, elementë që ju mund t’i gjeni në stilimet e Chanelit”.
Kur ajo ishte 11 vjeçe, nëna e saj vdiq. Babai e futi në një jetimore, ku ajo mësoi të qepte.
“Ajo mësoi atje elementët që do ta bënin atë stiliste të famshme. Mësoi të kombinonte ngjyrat e errëta me ato me dritë, të bardhën e të zezën. Perlat, që janë shumë të pranishme në stilin e Chanelit, të sjellin në mendje rruzaret sferike, të cilat murgeshat i vendosin rreth belit të tyre.”
Chanel mbasi u largua nga jetimorja, nisi të këndonte nëpër kabare. Me paratë që i dha një i dashuri i saj, ajo nisi tregtimin e kapelave në Paris. Picardie thotë se klientët donin rrobat që vishte ajo dhe donin të njëjtat gjëra si ajo.
“Në atë kohë gratë vishnin korse. Ato vishnin rroba të ngushta që nuk i linin të merrnin frymë, të ecnin normalisht, të vraponin. Channel i hoqi veshjet me korse dhe futi veshjet me ngjyra të hapura”.
Chanel prezantoi stilin e shekullit të 20-të; një veshje të vogël të zezë.
Duke marrë intervista nga të njohurit e hershëm të saj, të afërmit dhe punonjës të saj si Karl Lagerfeld, drejtori krijues i Chanelit, Picardie thotë se ajo kishte aftësinë që të kthehej në një njeri të thjeshtë.
“Ajo ishte shumë kontradiktore, kishte periudha që ishte shumë e palumtur dhe shumë e vetmuar. Ka patur edhe periudha të mbushura me gëzim dhe argëtim në jetën e saj. Por mendoj se braktisja që nisi që me të atin kthehej herë pas here. Dhe në fund të jetës, ndonëse kishte miq të afërt, ajo vdiq vetëm”.
Picardie hedh dritë në bashkëpunimin që Chanel pati gjatë Luftës së Dytë Botërore me pushtuesit gjermanë në Paris.
“Ajo u lidh me një gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore në Paris. Ai ishte agjent i dyfishtë që punonte edhe për britanikët edhe për gjermanët. Kjo është diçka që dihej”, thotë ajo.
“Pati njerëz të mrekullueshëm që ndihmuan, por pati edhe bashkëpunëtorë të nazizmit dhe është e qartë se Coco Channel ishte bashkëpunëtore. Por vet kompania e saj për 40 vjet është drejtuar nga një familje hebreje. Nuk mendoj se ky fakt ka ndikuar tek njerëzit. Por kjo u përdor kundër Chanelit kur ajo u rikthye në Paris në vitin 1954, nga azili i vetëvendosur prej saj”, thotë Picardie.
“Shtypi i modës në Francë pati kritika të ashpra ndoshta për ta ndëshkuar atë. Ajo paraqiti një koleksion brilant: xhaketat me stof me cërka, trikot xhaketë dhe kostumet e buta”.
Në vitet 1950-60 Chanel ishte në krye të modës.
“Ajo vishte këdo, nga Brigitte Bardot, Jane Fonda, Elizabeth Taylor dhe Merlin Monroe. Tek ajo vishej edhe Jackie Kennedy”.
Editorja e modës në International Harald Tribune, Suzi Menkes thotë: “Sekreti i Chanelit është pastërtia, moderniteti, shënjimi i germës C, dhe ndonjë herë duket tejet dinamike, moderne. Emri i saj vazhdon të menaxhohet shumë mirë edhe pas vdekjes së saj. Karl Lagerfeld vazhdon në gjurmët e saj”.
Menkes thotë se kjo është arsyeja që Chanel mbetet ikonë e modës. Stilistja e madhe është kthyer në një frymëzim për emrin e saj.