Colturi e 16-ta në sllallomin gjigant në “Milano Cortina 2026”

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/ Skiatorja shqiptare Lara Colturi ishte shumë pranë t’i dhuronte Shqipërisë medaljen e parë në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore, por e mbylli garën e sllallomit gjigant në vendin e 16-të me kohën 2 minuta, 14 sekonda e 82 të qindtat, në Milano Cortina 2026.
19-vjeçarja italo-shqiptare zhvilloi një lëshim të parë shumë të mirë, duke regjistruar një nga kohët më të shpejta deri në atë moment, por në lëshimin e dytë gaboi në disa porta, duke humbur sekonda të vlefshme që ndikuan në renditjen përfundimtare. Ajo mbeti 1.32 sekonda pas vendit të parë, i cili u sigurua nga italiania Federica Brignone me kohën 2:13.50, duke i dhënë Italisë medaljen e dytë të artë personale në këto Lojëra.
Gara në disiplinën e sllallomit gjigant rezultoi tejet e ngushtë në diferenca kohore. Suedezja Sara Hector dhe norvegjezja Louise Stjernesund e mbyllën me kohë identike 2:14.12, vetëm 0.62 sekonda pas vendit të parë, duke ndarë medaljen e argjendtë. Kjo bëri që italiania Lara Della Mea të renditej e katërta.
Pas garës, Colturi u shpreh për TVSH-në, se kishte realizuar një lëshim të parë shumë të mirë, por nuk arriti të ruante të njëjtin ritëm në të dytin. “Është e vërtetë që bëra një lëshim të parë fantastik dhe këtë nuk e kuptova derisa arrita në fund të pistës. Nuk bëra mirë në lëshimin e dytë dhe ende nuk e di nëse ishte faji i pistës apo i skive. Megjithatë, ndihem shumë mirë mendërisht dhe shpresoj të jap më të mirën time në garën e ardhshme në disiplinën sllallom”, tha ajo.
Colturi theksoi se ndihet e lumtur për pjesëmarrjen në Olimpiadë dhe për mbështetjen që po merr. “Më gëzon fakti që ka kaq shumë njerëz që më mbështesin. Jam e lumtur që sporti i skive po bëhet gjithnjë e më popullor në Shqipëri”, u shpreh ajo.
/a.f/r.e/