Conference League, Dinamo humbet 1-0 ndaj Audës, kualifikimi vendoset në Elbasan

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Dinamo është mundur me rezultatin 1-0 nga Auda në ndeshjen e parë të fazës së tretë kualifikuese të Conference League, duke e lënë të hapur garën për kualifikimin.
Në takimin e zhvilluar në Letoni, loja ishte e ekuilibruar, ndërsa rastet më të pastra për shënim i pati skuadra shqiptare.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 65-të nga Diedhiou, pas një aksioni të bazuar në cilësitë e tij individuale.
Situata u vështirësua më tej për Dinamon në minutat e fundit, pasi Përndreca u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë skuadrën me 10 lojtarë.
Megjithatë, rezultati minimal i ndeshjes së parë i jep Dinamos shpresë për përmbysje në sfidën e kthimit.
Ndeshja e dytë mes Dinamos dhe Audës do të luhet më 13 gusht në stadiumin “Elbasan Arena”, ku skuadra shqiptare do të kërkojë fitoren dhe kualifikimin në fazën tjetër të Conference League.
/gj.m/a.f/r.e/