E Diel, 1 Nëntor 2026

Conference League, Egnatia njeh kundërshtarët, nga Braga tek Midtjylland

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Egnatia ka mësuar gjashtë kundërshtarët e saj në fazën e ligës së Conference League për sezonin 2026-27, në debutimin historik të kampionëve të Shqipërisë në këtë fazë të kompeticionit.

Shorti i zhvilluar këtë të premte në Monaco ka përcaktuar edhe rrugëtimin europian të skuadrës nga Rrogozhina, e cila do të luajë tri ndeshje në shtëpi dhe tri në transfertë.

Në Rrogozhinë, Egnatia do të presë Midtjylland (Danimarkë), Lincoln Red Imps (Gjibraltar) dhe Kauno Zalgiris (Lituani).

Ndërkohë, në transfertë kampionët e Shqipërisë do të përballen me Bragën (Portugali), Universitatea Craiova (Rumani) dhe Aarhus (Danimarkë).

Për Egnatian bëhet fjalë për një tjetër moment historik, pasi skuadra nga Rrogozhina merr pjesë për herë të parë në fazën e ligës së Conference League, duke siguruar gjashtë përballje me skuadra nga vende të ndryshme europiane.

Conference League do të zhvillohet për të tretin vit radhazi me formatin e ri të fazës së ligës, ku marrin pjesë 36 skuadra dhe të gjitha renditen në një klasifikim të përbashkët.

Çdo ekip do të luajë gjashtë ndeshje, tri në shtëpi dhe tri në transfertë, ndaj kundërshtarëve të ndryshëm. Në këtë fazë, skuadrat nga i njëjti vend nuk mund të përballen me njëra-tjetrën, ndërsa një klub mund të ketë maksimumi dy kundërshtarë nga e njëjta shoqatë kombëtare.

Në përfundim të fazës së ligës, tetë skuadrat e para do të kualifikohen direkt në fazën e 1/8-ave. Ekipet e renditura nga vendi i 9-të deri në vendin e 24-t do të luajnë në play-off për një vend në fazën me eliminim direkt, ndërsa skuadrat nga vendi i 25-të deri në vendin e 36-të do të eliminohen nga gara.

Faza e ligës së Conference League do të nisë më 15 tetor 2026, ndërsa finalja është programuar të zhvillohet më 2 qershor 2027, në stadiumin e Besiktasit në Stamboll.

Për Egnatian, kjo aventurë përbën një mundësi të rëndësishme për të shkruar një tjetër faqe në historinë e klubit dhe për të përfaqësuar futbollin shqiptar në arenën europiane.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›