Nga nxënës shkëmbimi në kampion hackathon-i, Elis Karcini kontribuon në sistemin për shqyrtimin e elektrokardiogrameve

TIRANË, 28 gusht/ATSH/ Nga nxënës në një program shkëmbimi në Shtetet e Bashkuara në kampion të një hackathon-i. Elis Karcini, ish-pjesëmarrës i programit YES Kennedy-Lugar, ka kontribuar në zhvillimin e një sistemi për shqyrtimin e elektrokardiogrameve, i cili synon të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit të zemrës te sportistët e rinj.
Ambasada e SHBA-së në Tiranë bëri të ditur se, Karcini ishte pjesë e ekipit fitues të “Space Coast Initiative Hackathon 2026”, ku u krijua një sistem për shqyrtimin e elektrokardiogrameve, duke arritur një saktësi deri në 96%.
Zgjidhja e zhvilluar nga ekipi synon të ndihmojë në identifikimin e problematikave të mundshme kardiake te sportistët e rinj, duke përdorur teknologjinë për të përmirësuar procesin e shqyrtimit të elektrokardiogrameve.
Karcini ia atribuon një pjesë të rëndësishme të suksesit të ekipit aftësive bashkëpunuese dhe ndërkulturore për zgjidhjen e problemeve, të cilat, sipas tij, i zhvilloi gjatë vitit të tij të shkëmbimit në Shtetet e Bashkuara.
Përvoja e fituar gjatë programit YES Kennedy-Lugar i dha mundësinë të punonte në një mjedis ndërkulturor dhe të zhvillonte aftësi në bashkëpunim, komunikim dhe zgjidhjen e problemeve, të cilat më pas i aplikoi në një projekt teknologjik me fokus shëndetin.
Arritja e Elis Karcinit në “Space Coast Initiative Hackathon 2026” vjen si një shembull i mënyrës se si programet e shkëmbimit ndërkombëtar mund t’u japin të rinjve aftësi dhe përvoja që i shërbejnë më tej në projekte inovative.
/gj.m/r.e/