Cooper viziton javën e ardhshme Serbinë

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Robert Cooper, do të zhvillojë javën e ardhshme një vizitë në Beograd, ka thënë për mediat serbe kryenegociatori i Serbisë, Borislav Stefanoviç. Sipas tij, Cooper do të bisedojë me përfaqësuesit serbë rreth përfaqësimit rajonal të Prishtinës, raporton REL.
Dy palët, sipas Stefanoviçit, nuk janë afër zgjidhjes përfundimtare për përfaqësim rajonal, që është edhe kusht për Serbinë për të fituar statusin e kandidatit evropian, në muajin mars.
Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike në mars të vitit të kaluar. Ato janë zhvilluar në raunde të caktuara në Bruksel, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të BE-së, Cooper.