E Diel, 1 Nëntor 2026

Costa: E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian

PRISHTINË, 9 maj /ATSH/ Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa me rastin e Ditës së Evropës ka dhënë sot një mesazh të rëndësishëm drejtuar qytetarëve të Kosovës, duke i cilësuar ata si “anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian”.

Costa thekson perspektivën e qartë evropiane të vendit dhe rikonfirmon angazhimin për një të ardhme të përbashkët.

Ai përkujtoi themelet e projektit evropian, i cili lindi nga hiri i Luftës së Dytë Botërore.

Costa nënvizon se Kosova ndan të njëjtin destinacion me vendet e tjera të rajonit – anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Për këtë arsye, ai bëri thirrje për vazhdimin e punës dhe përpjekjeve për ta bërë këtë realitet.

“Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Evropian. Po bëhet shumë punë e vështirë për ta bërë këtë të ndodhë. Ju ndani të njëjtin destinacion me pjesën tjetër të rajonit, Bashkimin Evropian. Vazhdoni të punoni për ta bërë këtë të ndodhë. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Rroftë Evropa”, tha ai.

Deklarata e 9 majit e vitit 1950 është koha kur u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për t`i bashkuar prodhimet e tyre të qymyrit dhe çelikut, që do të ishte themeli i parë konkret për një federatë të ardhshme evropiane.

Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra tjetrën. Ajo që propozonte Schuman ishte krijimi i një institucioni evropian mbi kombëtar, i cili do të administronte industrinë e prodhimit të qymyrit dhe çelikut, sektor i cili në atë kohë ishte baza e fuqisë ushtarake.

Vite më vonë, në Samitin e Milanos në 1985, krerët e BE-së vendosën që data 9 maj të shpallej dhe festohej si Dita e Evropës.

Kjo ditë tashmë ka vite që festohet edhe në Kosovë, ku për nder të saj, do të organizohen aktivitete të ndryshme nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›