E Diel, 1 Nëntor 2026

TEL AVIV – Izraeli godet 85 objektiva të Hezbollahut në Liban

TEL AVIV 9 maj /ATSH-DPA/ – Ushtria izraelite deklaroi sot  se ka goditur 85 objektiva të lidhura me lëvizjen Hezbollah në Liban gjatë 24 orëve të fundit.

Sipas ushtrisë, objektivat përfshinin depo armësh, platforma lëshimi raketash dhe infrastrukturë tjetër ushtarake.

Izraeli tha se operacionet u kryen si përgjigje ndaj kërcënimeve ndaj civilëve dhe ushtarëve izraelitë në jug të Libanit.

Autoritetet izraelite njoftuan gjithashtu se është shkatërruar një objekt nëntokësor në Luginën Bekaa, i cili sipas tyre përdorej nga Hezbollahu për prodhimin e armëve.

Forcat izraelite thanë se kanë sulmuar edhe luftëtarë të Hezbollahut në jug të Libanit.

Ushtria izraelite akuzon grupin se gjatë ditëve të fundit ka lëshuar disa raketa drejt ushtarëve izraelitë në zonë, megjithëse nuk janë raportuar të plagosur.

Informacionet nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Sulmet me raketa nga Hezbollahu, sipas Izraelit, erdhën pas një sulmi izraelit në periferinë jugore të Bejrutit, ku u vra komandanti i njësisë elitare Radwan të Hezbollahut.

Marrëveshja aktuale e armëpushimit i lejon Izraelit të ndërmarrë masa mbrojtëse ndaj sulmeve të planifikuara ose të afërta, por ndalon operacionet ofensive në territorin libanez.

Të dyja palët vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›