Crawford: 1,1 miliardë euro investime të huaja në 6 muaj, boom blerje banesash nga diaspora

TIRANË, 22 shtator/ATSH/ Shqipëria po përjeton një rritje të blerjeve të banesave nga diaspora dhe shtetasit e huaj, veçanërisht në Tiranë dhe në zonat bregdetare.
Ish-drejtuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Mark Crawford, në një intervistë për “Klan News”, u shpreh se shumë shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit po investojnë në pasuri të paluajtshme ose në biznese në Shqipëri.
“Unë shikoj një boom blerjesh të banesave nga diaspora. Ka shqiptarë që janë të suksesshëm në vendet perëndimore, ku punojnë dhe jetojnë, dhe që blejnë shtëpi në Shqipëri, përfshirë edhe banesa për pushime”, deklaroi Crawford.
Ai nënvizoi se investimet nga diaspora janë të pranishme edhe në sektorë të tjerë, ndërsa theksoi se largimi i shqiptarëve nga vendi mbetet një problem që kërkon më shumë vëmendje.
“Shqiptarët janë duke ikur dhe në këtë pikë duhet bërë më shumë. Ka edhe shqiptarë që investojnë jashtë vendit, ndërsa të tjerë që kanë biznese në Shqipëri duan të investojnë edhe në tregje të huaja”, u shpreh ai.
Duke komentuar raportin e “Moody’s” për Shqipërinë, Crawford tha se thirrjet për investime të huaja kanë sjellë rezultate konkrete, pasi shumë shtetas të huaj kanë blerë apartamente dhe janë vendosur në vend.
“Ka shumë të huaj që blejnë apartamente në Shqipëri. Kam miq që punojnë këtu dhe kanë blerë banesa. Moody’s i ftoi të huajt të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë, dhe kjo ka ndodhur”, deklaroi ai.
Sipas Crawford, rritja e investimeve të huaja ndikon edhe në tregun vendas, përfshirë çmimet e apartamenteve.
“Duke pasur kaq shumë investime nga të huajt, gjërat normalisht pastaj rriten edhe për vendasit”, tha ai.
Crawford vuri në dukje se forcimi i lekut dhe qarkullimi i parasë në ekonomi krijojnë mundësi për investime të mëtejshme, por paralajmëroi se rritja e çmimeve të banesave mund të krijojë vështirësi për qytetarët që nuk kanë mundësi t’i blejnë ato.
“Nëse ka, për shembull, 50 mijë apartamente bosh, kjo do të thotë se ka shumë njerëz që duan një banesë, por nuk kanë mundësi ta blejnë”, u shpreh ai.
Ish-drejtuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë e cilësoi Shqipërinë një treg që për një kohë të gjatë nuk ishte eksploruar sa duhet nga investitorët e huaj.
“Shqipëria është një vend që nuk është eksploruar ende sa duhet nga të huajt dhe kjo po ndodh në këto kohë. Është momenti i Shqipërisë”, deklaroi Crawford.
Në përfundim, ai theksoi se rritja ekonomike dhe investimet mund të krijojnë kushte për shtimin e vendeve të punës dhe rritjen e pagave, ndërsa nënvizoi nevojën për më shumë investime.
“Shqipëria ka problem me fuqinë punëtore. Ata që janë pa punë kërkojnë një punë ku të ndihen të vlerësuar. Kur ekonomia rritet dhe ka më shumë investime, mund të krijohen kushte që edhe pagat të rriten. Edhe pse ka rritje ekonomike, unë pres sërish më shumë investime”, përmbylli Crawford.
/gj.m/r.e/a.f/