Cristiano Ronaldo stërvitet me U21 të United, gati edhe gjoba

“Ndëshkimi” i Cristiano Ronaldos nisi mëngjesin e së premtes kur portugezi, rreth orës 8:30, shkoi në qendrën sportive për t’u stërvitur jo me ekipin e parë, por me Manchester United Under 21. CR7, në fakt, nuk do të marrë pjesë në ndeshjen e ditës së shtunën kundër Chelsea pasi u kthye herët në dhomat e zhveshjes gjatë fitores së Djajve të Kuq ndaj Tottenhamit. Në fakt, lojtari është përkohësisht jashtë skuadrës, ndonëse në deklaratën e klubit anglez nuk përmendet konkretisht kjo situatë.
Sipas Daily Mail, Ten Hag ende e sheh Ronaldon si një element të çmuar për skuadrën dhe nuk ka dëshirë ta “varrosë” edhe nëse duket evidente se në janar është e leverdishme që të dy të ndahen, me kusht që portugezi të gjejë një ekip i gatshëm ta paguajë marrëveshjen dhe britanikët të gjejnë një zëvendësues.
Ditën e djeshme Ronaldo në Instagram ka dashur të nënvizojë profesionalizmin e tij edhe pse, e thonë në Angli, skuadra është në dijeni të përplasjes së përditshme mes lojtarit dhe trajnerit dhe kjo nuk e prish ambientin dhe frymën që shihet në stërvitje. Ndërkohë, Manchester United nuk pranoi të komentojë thashethemet për një gjobë të mundshme, sipas rregulloreve të brendshme, prej një milion paund (1.1 milion euro) ose pagë dy javëshe.