Cufaj tek "Evropa lexon" në Frankfurt
Në kuadër të serisë "Evropa Lexon", Cufaj është ftuar të flasë për rolin e shkrimtarëve në Europë
Shkrimtari nga Kosova, Beqë Cufaj, është ftuar në Panairin e 61-të të Frankurtit, i cili njihet edhe si panairi më i madh i librit në botë.
Në kuadër të kësaj feste të librit, pritet që rreth 7300 botues të botës nga më shumë se 100 shtete të prezantojnë botimet e tyre në 170.000 metra katrorë të kësaj hapësire gjigante, që parashikohet të vizitohet nga më shumë se 300 000 vizitorë më 14-18 tetor. E ftuar nderi është letërsia kineze, kurse vitin që vjen do të jetë Argjentina.
Në kuadër të Serisë "Evropa lexon", e cila organizohet në njërën prej qendrave më të famshme të Panairit të Librit, "Internationales Zentrum" (Qendra Ndërkombëtare) dhe bashkë me Panairin e Librit organizohet nga IFA (Instituti për Marrëdhënie Ndërkombëtare), Beqë Cufaj është ftuar që të prezantojë Kosovën, dhe përkrah tij, në ditën e prezantimit do të jenë shkrimtari francez Alban Lafranc, autorja austriake Andrea Grill, eseisti dhe themeluesi i iniciativës "Europës t'i jepet një shpirt", holandezi Steve Austin.
Diskutimi do të moderohet nga Sebastian Körber, do të prezantohet numri më i ri i revistës "Fortschrit Europa" që botohet në gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht, e ku autorët e ftuar kanë shkruar nga një ese për mundësinë dhe rëndësinë e kulturës për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Europës. Në këtë diskutim do të zërë vend edhe tema se sa shkrimtarët munden të shkruajnë për tema të Europës.
Eseja e Cufajt e botuar në këtë revistë, mban titullin "Kultura e frikës" dhe është përqendruar tek pasojat e së kaluarës, së pari komuniste, e më pas edhe nacionaliste në hapësirën e Europës Juglindore. Autori nga Kosova, Beqë Cufaj, është botuar në më shumë se 15 gjuhë evropiane, kurse vjeshtën e vitit që vjen pritet të botohet romani i tij i ri.