E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhufi: PD-LSI, vendim politik, të kthehet marrëveshja

Intervista / Ish-zëvendëskryetari i LSI-së, Xhufi, vlerëson se marrëveshja me Greqinë është negative për Shqipërinë


Z. Xhufi, Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje me konsensus marrëveshjen e shumëpërfolur mes Shqipërisë dhe Greqisë për përcaktimin e kufijve detarë.

Gjatë kohës që keni qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ju ishit një nga kritikët më të mëdhenj të kësaj marrëveshjeje, ndaj tani që ajo ka marrë dritën jeshile nga Kuvendi, çfarë komenti keni?


Kjo është një marrëveshje që u nënshkrua mes dy ministrive tona të Jashtme dhe që për mënyrën sesi u hartuan dhe u servirën për miratim lanë pikëpyetje të mëdha. Pra, bëhet fjalë për një marrëveshje që nuk ka qenë në agjendën e marrëdhënieve mes dy vendeve tona dhe që është futur për diskutim dhe miratim në minutën e fundit.


Është një marrëveshje që përcakton kufirin detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndërkohë që Greqia nga ana e vet nuk ka njohur ende protokollin e Firences për ndarjen e kufijve tokësorë mes dy vendeve.


Faktikisht, Greqia nuk ka pranuar të nënshkruajë dy marrëveshjet në kuadër të kufirit me Republikën e Shqipërisë dhe ajo që është për të dyshuar është se diplomacia shqiptare ka vite që nuk insiston më për nënshkrimin e këtyre dy marrëveshjeve.


Nga ana tjetër, nënshkrimi i marrëveshjes në fjalë u bë në rrethana krejt groteske, rrethana që nuk e nderojnë diplomacinë dhe politikën shqiptare dhe ku mungoi angazhimi i ekspertëve, siç ishte e udhës të ndodhte në një marrëveshje kaq delikate, siç është kjo e ujërave.


Unë kujtoj që për nënshkrimin e një marrëveshjeje të tillë duhet të kishte një grup pune ku të përfshiheshin specialistë nga të gjitha fushat e interesuara, që nga Ministria e Brendshme që merret me menaxhimin e kufirit, përfaqësues të ushtrisë, përfaqësues dhe specialistë të së drejtës ndërkombëtare dhe akoma më specifikisht, me specialistë të së drejtës detare, që përbën një sektor jashtëzakonisht të rëndësishëm në fushën e së drejtës ndërkombëtare; duhet të kishte gjithashtu specialistë të ujërave, të peshkut, gjeologë, specialistë të naftës, pasi marrëveshja ka të bëjë dhe me fundin e detit.


Të gjitha këto nuk ndodhën dhe ne pamë që protagonistë nga ana shqiptare në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje ishte vetëm një punonjëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe një përfaqësues i Forcave të Armatosura, i Marinës Ushtarake Detare, të cilët nuk qenë në gjendje të sqaronin publikun për drejtësinë dhe për përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje.


Marrëveshja në fjalë është miratuar në Komisionin e Ligjeve edhe me votën e përfaqësuesit të LSI-së, ndërkohë që kjo forcë politike gjatë sesionit të shkuar parlamentar e kundërshtoi fort atë...


Unë realisht ndihem keq, aq më shumë që zotëria që përfaqëson LSI-në në Komisionin e Ligjeve është një jurist dhe do të doja që ai, ashtu si gjithë anëtarët e Komisionit të Ligjeve, të jepnin shpjegime pse ata e votojnë një marrëveshje të tillë.


Megjithatë, tashmë LSI-ja është pjesë e mazhorancës dhe lidhur me këtë marrëveshje, vetë kryetari i LSI-së dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm, z. Meta, vetëm para pak ditësh u shpreh se nuk ishte në dijeni të përmbajtjes së marrëveshjes dhe do ta studionte me vëmendje atë.


Por fakti që kjo marrëveshje ka kaluar në Komisionin e Ligjeve pa asnjë debat dhe pa asnjë objeksion dhe në mënyrë unanime, tregon se kemi të bëjmë me një vendim politik dhe nuk kemi një vendim të marrë mbi baza profesionale dhe mbi baza të përgjegjësisë, mbi të cilat duhen trajtuar probleme të tilla dhe sidomos problemet e kufijve.


Kështu, ajo që ngelet të shpresohet tani është që në paraqitjen e kësaj marrëveshjeje në Kuvend, të ketë një reagim nga ana e deputetëve, pavarësisht kaheve politike dhe pse jo, të ketë një kthim të kësaj marrëveshjeje për t'u hartuar në mënyrë më serioze.


Natyrisht, ka një rol ndoshta dhe Presidenti i Republikës në këtë histori, sepse në fund të fundit, do të jetë ai që do të japë viston e fundit, megjithatë, para se të shkojë deri tek ai, unë dua të besoj që do të ketë një reagim, do të ketë një thellim dhe një përgjegjësi nga ana e deputetëve, sepse nuk mund të luhet kështu me interesat e vendit, nuk mund të nënshkruhen marrëveshje, të cilat vihen në mënyrë ilegale në tryezën e bisedimeve dhe për të cilën nuk ka pasur absolutisht asnjë debat paraprak dhe aq më shumë nuk mund të kalojnë marrëveshje të tilla, të cilat dëmtojnë interesat e vendit.


Z. Xhufi, pse mendoni se kjo marrëveshje është kundër interesave të vendit, pra pse e kundërshtoni?


Unë jam i bindur se kjo marrëveshje dhe kjo ndarje e kufijve detarë mes Greqisë dhe Shqipërisë, e realizuar nga kjo marrëveshje, dëmton interesat tona kombëtare, sepse i fal Greqisë një hapësirë të tërë ujore, e cila në vetvete është një kompleks që përfshin jo vetëm këtë hapësirë, por edhe fundin e detit, dhe të gjitha pasuritë që përfshihen në të.


Kështu që unë gjykoj se kjo marrëveshje, në fund të fundit, në rast se i kalon të gjitha procedurat nga ana ligjore, unë do të uroja shumë që të bëhej objekt debati, ku të ballafaqohet dhe integriteti i kësaj qeverie, e cila vërtet e fillon shumë keq jetën e saj, e fillon me kalimin e një marrëveshjeje që është në kundërshtim me interesat e vendit dhe unë mendoj që të gjithë ata që janë përfshirë dhe implikuar në një gjë të tillë, duhet që një ditë të japin llogari në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës.


Politika e Jashtme e Shqipërisë ka për detyrë, në radhë të parë, të mbrojë interesat e vendit dhe natyrisht nuk është detyrë e saj të mbrojë interesat e partive apo individëve të veçantë, të cilët kërkojnë të konsolidojnë pozitat e një pushteti të kalbur dhe të korruptuar këtu brenda vendit, duke hyrë në marrëdhënie me segmente të caktuara jashtë vendit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›