E Diel, 1 Nëntor 2026

“Çuni” i djegësit fshihej në Palasë/ Pranga Nallbanit, pastroi 30 milionë euro për inceneratorin e Tiranës

Renardo Nallbani i shpallur ne kerkim prej 2 vitesh u arrestua në një vilë luksoze në Palasë mbremjen e 8 gushtit.

50-vjeçari, i shpallur në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës, ndodhej në një prej zonave më të lakmuara të bregdetit shqiptar, kur Policia e Vlorës ndërhyri për arrestimin e tij.

Sic duhket nga pamjet Forcat e Policisë rrethojnë vilën luksoze dhe më pas futen brenda, duke bërë të mundur kapjen e Nallbanit.

50-vjeçari shfaqet i qetë, i veshur me një kostum sportiv, ndërsa efektivët e shoqërojnë drejt furgonit të Policisë për ta dërguar më pas në ambientet e komisariatit.

Nallbani akuzohet nga SPAK për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryer në bashkëpunim të veçantë në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Sipas hetimeve, ai ka qenë një prej personave drejtues në biznesin e inceneratorëve, ndërsa emri i tij është lidhur edhe me aktivitetin e kompanive që merreshin me transportin dhe menaxhimin e dherave të inceneratorit të Tiranës.

SPAK ka bërë me dije se rreth 30 milionë euro dyshohet se janë pastruar përmes skemës së lidhur me kompaninë e inceneratorit të Tiranës, gjatë periudhës 2017–2023, kur kontrata koncesionare ishte në zbatim dhe më pas asetet u vendosën në sekuestro.

Për këtë fraksion të hetimit, Prokuroria e Posaçme ka dërguar për gjykim dosjen me 12 të pandehur, ndërsa arrestimi i Nallbanit është i pari i realizuar nga personat e shpallur në kërkim në këtë çështje.

Në krye të skemës së pastrimit të parave, sipas SPAK, qëndrojnë biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të dy të shpallur në kërkim dhe të dënuar nga Gjykata e Posaçme për çështjet e inceneratorëve të Fierit dhe Elbasanit.

Me arrestimin e Renardo Nallbanit në Palasë, hetimi për inceneratorin e Tiranës merr një tjetër zhvillim, ndërsa tashmë pritet që ai të përballet me akuzat e ngritura nga Prokuroria e Posaçme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›