Curri: Vetëdeklarimi i policisë, hipokrizi e madhe

Analisti Arjan Curri e ka cilësuar një hipokrizi dhe spektakël iniciativën e ministrit të Brendshëm Taulant Balla mbi urdhrin për efektivët që mund të jenë të përfshirë në përgjime dhe përdorin aplikacionin Sky ECC.
Sipas Currit, qasja e vetë Ballës është një formë akuze ndaj gjendjes në policinë e Shtetit.
“Balla dëshiron të na thotë që në 10 vjet këtu nuk është bërë asgjë. Policia ka qenë kot, krimi ka qenë në maksimum dhe harron që vetë ministri që shpiku formularin dhe po e pompon me kaq të madhe po bën akuzë ndaj kryeministrit dhe qeverisë.
Ne harrojmë sikur qeverisja filloi sot. Këta janë mjeshtër të të bërit të një politike të pakohë. “Sot fillon lufta”, “sot fillon formulari”, “sot do dalim në rrugë” etj”, ka theksuar Curri.
Curri vuri në dukje se çështja e formularit është një bombë që u plasi në duar dhe tani duan të justifikohen përmes urdhrave të tillë për të kontrolluar efektivët që përdorin aplikacionin Sky ECC.
“Një nga shefat që do të kontrollojnë efektivët që është i ngarkuar nga urdhri për të kontrolluar formularët ka vetë 5 numra Sky ECC, dy prej të cilëve i ka e dashura. Këta nuk është se e kanë në plan, këtyre u plasi në dorë.
Kush do kontrollojë kë aty? Që të mbulojnë faktin që kjo është një bombë që u plasi në dorë, bëjnë sikur e bëjnë vetë.
Ndërkohë që nuk e bëjnë vetë, janë listat, janë emrat, janë numrat, janë personat, janë bisedat. Është hipokrizi. Është show dhe show mbulon thelbin. Prandaj bëhet show kaq i madh dhe ministri del kudo”, përfundoi Curri.
/rtsh.al/