DAC8, Shqipëria përafron kuadrin ligjor me standardet e BE-së për transparencën tatimore

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Shqipëria po ndërmerr hapa për përafrimin e kuadrit ligjor me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e transparencës tatimore, përmes zbatimit të standardit DAC8, që parashikon mbledhjen dhe shkëmbimin e informacionit për transaksionet me kriptoasete.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën të ditur se zhvillimi i shpejtë i ekonomisë digjitale sjell nevojën për rritjen e transparencës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën tatimore.
Standardi DAC8 (Directiva mbi Bashkëpunimin Administrativ, amendamenti i 8-të) i Bashkimit Evropian parashikon raportimin dhe shkëmbimin e informacionit për transaksionet me kriptoasete, duke përfshirë të dhënat identifikuese dhe tatimore të përdoruesve, si dhe informacionin mbi shkëmbimet dhe transferimet e këtyre aseteve.
Detyrimet e raportimit mund të përfshijnë ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve dhe operatorët që konsiderohen subjekte raportuese, me synim rritjen e transparencës dhe përmirësimin e shkëmbimit të informacionit mes administratave tatimore.
Administrata Tatimore thekson se vijon angazhimin për përafrimin me standardet evropiane, në mbështetje të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
DAC8 është pjesë e përpjekjeve të BE-së për të zgjeruar bashkëpunimin administrativ tatimor edhe në sektorin e kriptoaseteve, duke synuar përmirësimin e raportimit dhe parandalimin e evazionit fiskal në ekonominë digjitale.
/r.e/