E Diel, 1 Nëntor 2026

Kadastra nis regjistrimin derë më derë edhe në bashkinë e Finiqit

TIRANË, 11 tetor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës njofton se në datat 12-13 tetor nis aksioni “Derë më Derë” për trajtimin e banesave pa dokumentacion pronësie edhe në bashkinë e Finiqit, në fshatrat Vrion, Karahaxhë, Bregas, Çlirim dhe Buronjë.

Në proces përfshihen si banesat e vjetra, ashtu edhe ndërtimet informale. Do të trajtohen gjithashtu banesat që plotësojnë kriteret ligjore, por për të cilat nuk është paraqitur më parë kërkesë.

FASHK i fton banorët të bashkëpunojnë me ekipet e terrenit, për të lehtësuar verifikimin dhe trajtimin e banesave të tyre.

Për të lehtësuar komunikimin me qytetarët dhe për t’u dhënë mundësinë të ndjekin ecurinë e trajtimit të banesës së tyre, ASHK publikon periodikisht të dhënat e aksionit në Platformën e Konsultimit në Terren, që gjendet në faqen zyrtare www.ashk.gov.al.

Përmes këtij informacioni, banorët e fshatrave të përfshirë në proces mund të njihen me statusin e banesës dhe dokumentet që mund të mungojnë në dosjen e tyre.

Në rastet kur banesa nuk është verifikuar gjatë aksionit, qytetarët mund të kontaktojnë specialistin e ASHK-së pranë njësisë administrative, grupet e terrenit ose të telefonojnë në linjën e gjelbër 0800 88 11, gjatë periudhës së zhvillimit të aksionit në bashkinë përkatëse.

Përmes kësaj nisme, Kadastra synon të forcojë komunikimin e drejtpërdrejtë me banorët, të lehtësojë informimin mbi dokumentacionin e nevojshëm dhe të mbështesë vijimin e procedurave për trajtimin e banesave informale.

Gjatë vitit 2026 Kadastra ka digjitalizuar 4,2 milionë kartela pasurish, ndërsa ka nisur edhe projekti kombëtar për digjitalizimin dhe gjeoreferimin e 38 mijë hartave dhe planshetave fizike. Paralelisht, Regjistrimi Fillestar ka arritur në 95,3% të territorit të vendit, duke përmbushur objektivin e përcaktuar në kuadër të procesit të integrimit evropian.

Ndërkohë vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 2026, janë emetuar mbi 28 mijë vendime për legalizimet, një shifër që e tejkalon të gjithë volumin e vitit 2025.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›