DAMASK – Ministri i Jashtëm ukrainas kërkon dëbimin e pranisë ruse gjatë vizitës në Siri

DAMASK, 30 dhjetor /ATSH-AFP/- Ministri i Jashtëm i Ukrainës Andriy Sybiga i kërkoi sot udhëheqësit të ri sirian, Ahmed al-Sharaa dëbimin e pranisë ruse nga vendi gjatë një vizite të paparalajmëruar në Damask.
Moska ishte një nga mbështetësit kryesorë të ish-presidentit Bashar al-Assad, e cila ka ndërhyrë për të kthyer valën e luftës civile të Sirisë në favor të tij në 2015.
Përmbysja e qeverisë së ish-presidentit u pa si një pengesë e madhe për Rusinë, e cila ka kryer një pushtim të plotë të Ukrainës që nga viti 2022.
Rusia, aktualisht po kërkon të sigurojë fatin e bazës së saj detare në Tartus dhe bazës së saj ajrore në Hmeimim, si në brigjet e Mesdheut të Sirisë, ashtu dhe pikat e vetme ushtarake të Moskës jashtë ish-Bashkimit Sovjetik, me autoritetet e reja siriane.
“Regjimet ruse dhe të Asaad-it mbështetën njëri-tjetrin pasi bazoheshin në dhunë dhe tortura”, tha Sybiga, sipas një deklarate.
“Ne besojmë se nga pikëpamja strategjike, heqja e pranisë së Rusisë në Siri do të kontribuojë në stabilitetin jo vetëm të shtetit sirian, por të të gjithë Lindjes së Mesme dhe Afrikës”, shtoi ai.
Sybiga tha se Kievi ishte gati të rindërtonte lidhjet me Sirinë që u prishën kur Assad njohu aneksimin e territorit ukrainas nga Kremlini.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha në një deklaratë se vendi i tij kishte dërguar dërgesën e parë të ndihmës ushqimore në Siri dhe se ajo do të mbërrinte të martën.
“Ne mbështesim popullin sirian në kapërcimin e sundimit diktatorial prej disa dekadash -dhe rivendosjen e stabilitetit, sigurisë dhe jetës normale në Siri”, tha ai në një postim në media sociale.
Pavarësisht luftës, Ukraina është një nga prodhuesit kryesorë të grurit në botë. //a.i/