DANIMARKË – Frederiksen: Hungaria ka zgjedhur Evropën

KOPENHAGË, 13 prill /ATSH/ – Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit zgjedhore në Hungari, duke theksuar se vendi ka zgjedhur të qëndrojë në anën e Evropës, sipas Reuters.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo shprehu mbështetjen për Bashkimin Evropian duke e cilësuar këtë si një moment të rëndësishëm për të ardhmen e kontinentit.
“Vetëm duke qëndruar së bashku si evropianë mund të përballojmë sfidat e mëdha të kohës”, shkroi Frederiksen, duke nënvizuar nevojën për bashkëpunim më të fortë mes vendeve të bllokut evropian.
Ajo e shoqëroi mesazhin me një ton optimist për të ardhmen e përbashkët të Evropës.
Sipas saj, rezultati i zgjedhjeve përbën “lajm të keq për ata që nuk duan më të mirën për Evropën”, duke lënë të kuptohet përplasja e vazhdueshme mes forcave pro-europiane dhe atyre më skeptike ndaj integrimit.
Megjithatë, ajo e cilësoi zhvillimin si një ditë të mirë për pjesën tjetër të europianëve që mbështesin unitetin.
Deklarata e kryeministres daneze vjen në një moment kur Hungaria ka qenë shpesh në qendër të debatit brenda Bashkimit Evropian për çështje që lidhen me demokracinë, sundimin e ligjit dhe marrëdhëniet me institucionet europiane
Reagimi i saj shihet si pjesë e një qëndrimi më të gjerë politik që synon forcimin e kohezionit brenda bllokut.
Mesazhi i Frederiksen pasqyron gjithashtu shqetësimet dhe pritshmëritë e liderëve europianë për drejtimin që do të marrë Hungaria në raport me politikat dhe vlerat e përbashkëta të Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme. /Ad.Ab./