PD mbledh Foltoren para Kryeministrisë, Noka: Protesta jonë ka vrarë frikën te shqiptarët

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Partia Demokratike zhvilloi sot protestën e përjavshme para godinës së Kryeministrisë, ku është vendosur edhe foltorja nga ku përfaqësues të opozitës i drejtohen qytetarëve.
Gjatë fjalës së tij, sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokartike, Flamur Noka, tha se Parlamenti nuk është më zëri i qytetarëve. Ai tha se protesta e opozitës ka dhënë efekte pasi ka vrarë frikën te shqiptarët.
“Reagimi ynë, protesta ka dhënë efektet e veta. Protesta jonë ka një sukses ajo ka vrarë frikën te shqiptarët dhe ka zgjuar shoqërinë tonë. Sot shqiptarët flasin dhe artikulojnë pakënaqësitë e regjimit. Qytetarët sot janë të revoltuar. Fermerët e treguan në Lushnje, kudo janë në revoltë sepse ky regjim i ka falimentuar dhe kjo nisi që me Ballkanin e Hapur. E keni parë, i kanë braktisur takimet me Kryeministrit. Shumica bën revoltë në mënyrë të heshtur. Bën takime me drejtorë dhe administratë, shoqëria dhe shqiptarët e braktisën sepse Rama nuk pranon zë kritik”, tha Noka.
Gjithashtu, Noka shtoi se negociatat rrezikojnë të bllokohen për shkak të keqqeverisjes së kryeministrit Edi Rama.
“Në fushatë i premtoi shqiptarëve Evropën dhe kur Evropa i bëri bllokadë ai nuk do t’ja dijë. Kemi kërkuar Komisione hetimore, interpelancë me kryeministrin asnjëherë nuk vjen. Kërkojmë fjalën dhe na ndërpritet. Parlamenti qelbet drogë dhe korrupsion. Hajdut si ky nuk ka të dytë”, tha ai.
E konceptuar si platformë parlamentaro-qytetare, ky tubim ka në fokus denoncimet e deputetëve të PD-së dhe aleatëve, por edhe qytetarëve ndaj qeverisë.
/m.q/a.f/