DASH: Serbia të lirojë menjëherë 3 policët e Kosovës të arrestuar nën akuza të pabaza! Kurti dhe Vuçiç t’i rikthehen dialogut

Zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller i ka bërë thirrje Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që të lirojë “menjëherë dhe pa kushte” tre policët e Kosovës, të cilët ndodhen në paraburgim në Serbi që prej datës 14 qershor.
Në një postim në Twitter, Miller shkruan se akuzat për ndalimin e tyre janë të rreme dhe se kanë përkeqësuar edhe më shumë një situatë që ishte e tensionuar.
“I bëjmë thirrje presidentit Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar”, shkruan Miller.
Po ashtu ai i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i rikthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Serbia.
“Ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, përfundon mesazhin e tij Miller.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell ka caktuar një takim mes Vuçiç dhe Kurtit javën e ardhshme në Bruksel, por ende asnjëri prej tyre nuk ka dhënë miratimi për të qenë të pranishëm.
Kujtojmë se tre efektivët e Kosovës ndodhen në paraburgim në Serbi, ndërsa ngjarja ka tensionuar edhe me tej marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit. Pretendimet e dy vendeve janë kontradiktore, ku Kosova ka deklaruar se efektivët u rrëmbyen nga forcat serbe në territorin e Kosovës, ndërsa Serbia e konsideron arrestim, duke thënë se efektivët ishin në territorin e tyre dhe të armatosur.
Reagimet e ndërkombëtarëve kanë qenë të shumta, duke bërë thirrje për lirimin e efektivëve. Ndërkohë, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR tha në një deklaratë për mediat se bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku ndodheshin policët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit.
/rtsh.al/