DAVOS – Presidenti izraelit Herzog bën thirrje për përpjekje globale për të luftuar terrorizmin

DAVOS, 21 janar /ATSH-DPA/- Presidenti izraelit, Isaac Herzog ka bërë thirrje për përpjekje globale për të luftuar terrorizmin në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos.
“Duhet të ketë një përpjekje të madhe botërore kundër terrorit. Terrori po bën kërdinë në Afrikë, në të gjitha llojet e rajoneve anembanë botës. Ne duhet të luftojmë terrorin”, tha ai.
Ai vazhdimisht theksoi rreziqet e paraqitura nga Irani dhe grupet që ky i fundit mbështet. “Burimi i së keqes fillon me terrorin, veçanërisht terrorin e nxitur nga Irani”, tha Herzog.
“Ne po shohim ndryshime historike. Ne po shohim ndryshim në Liban, ne po shohim ndryshime historike në Siri. Ne po shohim ndryshime historike, shpresojmë në Rripin e Gazës”, tha ai duke folur për Lindjen e Mesme.
Herzog tha se pas marrëveshjes për një armëpushim gjashtëjavor në Gazë dhe lirimin e 33 pengjeve izraelitë e mbajtur nga Hamasi, ai sheh mundësinë për sukses në fazën tjetër të negociatave.
Duke marrë parasysh të ardhmen e Rripit të Gazës, Herzog theksoi interesat e sigurisë së Izraelit, duke deklaruar se kombi ende vuan nga trauma e 7 tetorit 2023, kur Hamasi dhe ekstremistët e tjerë palestinezë sulmuan kufirin e Gazës dhe vranë 1200 njerëz në jug të Izraelit, duke marrë peng 250 të tjerë në brezin bregdetar.
“Si të sigurohemi që kjo të mos përsëritet? Si të sigurohemi që të mos jetë Hamasi ai që dikton dhe udhëheq atë vend? Ne duhet të mësojmë nga mësimet historike dhe nga të gjitha përvojat tona”, tha ai.