DITA 115/ Thirrje kundër qeverisë, protestuesit: “Rama jep dorëheqjen”, “Arrestoni Ramën”

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës, në kuadër të protestës së 115-të, me thirrje kundër qeverisë dhe kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
“Ju erdhi fundi”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Edi Rama o legen, gjithë Shqipëria të urren” janë disa prej thirrjeve të protestuesve, ndërsa më tej janë dëgjuar edhe “Poshtë diktatura” dhe “Arrestoni Ramën”.
Protestuesit kanë vijuar marshimin në zonën e ish-Bllokut, ndërsa kanë ngritur edhe akuza kundër oligarkisë dhe bashkëpunimit të pretenduar mes pushtetit dhe krimit.
Protesta e kësaj mbrëmjeje zhvillohet në të njëjtën ditë me zhvillimet e reja në hetimet e SPAK për dosjen që lidhet me Ergys Agasin. Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra, ndërsa janë kryer kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Nga foltorja e protestës, një prej pjesëmarrësve i cilësoi zhvillimet si një nga skandalet më të mëdha të shtetit shqiptar, duke akuzuar kryeministrin Rama për përgjegjësi politike lidhur me institucionet dhe zyrtarët e përfshirë.
“Sot kreu i SHISH Vlora Hyseni është vendosur në arrest shtëpiak nga SPAK dhe i janë bërë kontrolle ish-kryepolicit Ilir Proda, ku shumë shpejt mund të arrestohet. Këto janë skandale nga më të mëdhatë dhe qeverisë Rama çdo ditë i ndodh një skandal i ri”, deklaroi protestuesi.
Sponsorizuar
Ai ngriti gjithashtu akuza për rrjedhje të informacioneve sekrete dhe lidhje të pretenduara mes zyrtarëve të lartë dhe Ergys Agasit. Këto janë pretendime të bëra nga protestuesi dhe nuk përbëjnë konstatime gjyqësore.
Protestuesi kritikoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama se ishte njohur me zhvillimet me vonesë, duke e lidhur atë me përgjegjësinë e ekzekutivit për institucionet shtetërore.
Ndërkohë, në protestën e 115-të ka folur edhe eurodeputetja Ana Strolenberg, e cila u ka bërë thirrje protestuesve të vijojnë qëndrimin e tyre në shesh.
“Ju jeni inspirim për të gjithë Europën. Erdha në Shqipëri për të parë çfarë po ndodh këtu. Kjo është ajo që duhet të bëni. Duhet të mbroni lirinë”, u shpreh Strolenberg.
Ajo tha se mbështet aspiratën e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe u shpreh se protestuesit kanë “mbështetjen e Europës”.