DITA 117/ Arrestoni Ramën! Zemërim nga skandali i shërbimot sekret

Qytetarët vijuan marshimin në rrugët e Tiranës në ditën e 117 të tubimit qytetar kundër qeverisë dhe asaj që protestuesit i konsiderojnë abuzime të saj.
Me flamuj në duar dhe pankarta, protestuesit kanë vijuar tubimin përmes thirrjeve dhe këngëve kundër qeverisë. Në kor janë dëgjuar thirrjet “Poshtë Edi Rama”, “Poshtë narko-shteti” dhe “Ju erdhi fundi”.
Protestuesit janë ndalur tashmë te Sheshi Wilson, ku numri i pjesëmarrësve është rritur ndjeshëm.
Çështja e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ka qenë një prej temave të protestës së sotme. Protestuesit kërkojnë përgjegjësi për situatën, ndërsa prej kohësh kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Në fund të marshimit, qytetarët kanë thirrur: “Edi Rama frikacak, po të vjen radha për në SPAK”.
Aktivisti Edison Lika ka denoncuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit gjatë protestës së zhvilluar përpara Parlamentit, ku protestuesit kishin paralajmëruar pritjen e deputetëve me vezë, domate dhe miell.
Sponsorizuar
Lika tha se forcat e rendit kishin bllokuar trotuaret dhe rrugët kalimtare përpara nisjes së tubimit, ndërsa sipas tij, disa prej pjesëmarrësve ishin shoqëruar nga policia.
“Sot, siç kishim lajmëruar për protestë te Parlamenti për t’u thënë deputetëve se janë deputetë të krimit të organizuar e të Belinda Ballukut, shkuam aty për t’i pritur siç u ka hije deputetëve të Shqipërisë, me vezë e domate! Por çfarë ndodhi? Te pedonalja, akoma pa vazhduar protesta, policia kishte kaluar komplet territorin e saj dhe kishte bllokuar edhe trotuaret e rrugët ku kalonin qytetarët. Policia kishte identifikuar protestuesit dhe, nëse ishe protestues, nuk kaloje dot në trotuar. Ne që kishim dërguar njoftim për të protestuar nuk na lejonin sepse përbënim rrezik për deputetët. Në pikë të mëngjesit, pa nisur protesta, 5 prej nesh u arrestuan direkt. Të tjerë u arrestuan gjatë ditës sepse pritën deputetët me vezë, miell e domate siç u ka hije e siç do t’i presim çdo herë që ka parlament! Në të njëjtën kohë, kur përballeshim me Policinë e Shtetit, si princeshat mbi bizele futej në SPAK ajo që nuk duhet të ishte futur fare, por duhet të ishte në burg, Vlora Hyseni. Ajo jo për një histori dashurie i tha një të kërkuari se është gati të fikë radaret e shtetit vetëm që çunat e tij të mos kenë probleme! Ky është krim shtetëror, jo histori dashurie!”, deklaroi Lika.
Në vijim të protestës përballë Kryeministrisë, aktivistja Sidorela Vatnikaj ka denoncuar atë që ajo i konsideron presione ndaj gazetarëve dhe aktivistëve, duke u ndalur veçanërisht te deklaratat e Vlora Hysenit ndaj gazetares Klodiana Lala.
Vatnikaj shprehu solidaritetin me gazetaren Lala dhe me personat që, sipas saj, përballen me intimidim për shkak të punës dhe reagimit të tyre publik.
“Ish-drejtoresha e SHISH-it mendon se mund të frikësojë ndonjë gazetar apo aktivist, ndaj sot jemi në solidaritet jo vetëm me gazetaren Klodiana Lala, por me të gjithë prej nesh që intimidohen vazhdimisht. Jemi këtu për të thënë se jemi kundër diktaturës së krimit të organizuar, kundër mafiozëve që janë në pushtet dhe, mbi të gjitha, jemi këtu për të kërkuar largimin e këtij që fut këta kriminelë në institucione!”, deklaroi Vatnikaj.m.k