E Diel, 1 Nëntor 2026

DITA 120/ “Krimi ka kokë”, mesazhi i protestuesve në bulevard pas fjalimit të Ramës në Rinas

Në ditën e 120-të të protestave qytetare kundër qeverisë, protestuesit kanë përcjellë një tjetër mesazh për kryeministrin Edi Rama, këtë herë përmes një shkrimi të vendosur në asfaltin e bulevardit.

“Krimi ka kokë”, shkruhej në asfalt, në nisje të marshimit të protestuesve nga Kryeministria në drejtim të qendrës së Tiranës.

Mesazhi u vendos në një moment kur protesta vijonte me marshimin në rrugët e kryeqytetit, ndërsa qytetarët mbanin flamuj, pankarta dhe flakadanë dhe përsërisnin thirrjet kundër qeverisë.

Protestuesit e kanë lidhur shkrimin në bulevard me zhvillimet e fundit rreth ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ndaj së cilës SPAK ka ndërmarrë procedura hetimore. Sipas akuzave të bëra publike nga prokuroria, çështja lidhet me dyshime për favorizim dhe ndihmë ndaj biznesmenit Ergys Agasi.

Çështja është lidhur nga protestuesit edhe me deklaratat e kryeministrit Edi Rama pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Rinas, Rama foli për zhvillimet e fundit dhe mbrojti qëndrimin e tij lidhur me ish-drejtoreshën e SHISH.

Pas përfundimit të fjalimeve pranë Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e kryeqytetit, me flamuj kuqezi, pankarta dhe flakadanë.

Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje dhe slogane kundër qeverisë, mes tyre “Ju erdhi fundi!”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Revolucion”, “Arrestoni Ramën”, “Studentë bashkohuni, kombi na thërret” dhe “Poshtë narkoshteti”.

Protesta e sotme shënon ditën e 120-të të tubimeve të njëpasnjëshme. Pjesëmarrësit kanë deklaruar se do të vijojnë qëndrimin e tyre në rrugë edhe në ditët në vijim.

Sponsorizuar

Aktivisti Dritan Goxhaj, duke folur nga protesta, deklaroi se protestuesit nuk do të tërhiqen dhe se qëndresa e tyre do të vijojë pa përdorimin e dhunës.

“Duam një Shqipëri të lirë nga korrupsioni dhe nepotizmi ku asnjë qeveritar nuk rri më shumë në karrige se presidenti, ku drejtorët e policisë nuk bëjnë argatin e krimit, ku shëndetësia nuk të lë të vdesësh e më pas të bësh analizat”, deklaroi Goxhaj.

Ai u shpreh se ndryshimi nuk mund të arrihet përmes dhunës, duke theksuar se protestuesit nuk do ta përshkallëzojnë qëndresën.

“Nuk përshkallëzojmë e përdorim dhunë sepse ajo është në favor të pushtetit, ata kanë policinë”, tha Goxhaj.

Aktivisti e cilësoi lodhjen si pjesë të “çmimit të lirisë” dhe u bëri thirrje protestuesve të vijojnë qëndresën.

“Kjo është një protestë për ata që nuk lodhen dhe kanë zemër. Kjo zemër ka rrahur për 120 ditë. Jemi këtu jo sepse nuk jemi lodhur dhe nuk kemi zgjidhje tjetër, por besojmë në këtë Shqipëri”, përfundoi Dritan Goxhaj.m.k

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›