DITA 118/ Protesta kombëtare, protestuesit marshojnë në Tiranë: “Ju erdhi fundi”

Protestuesit vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës në kuadër të protestës së 118 kombëtare kundër qeverisë.
Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit janë zhvendosur drejt zonës së 9-Katësheve, ku kanë vijuar thirrjet për largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti.
Me flamuj në duar dhe pankarta, protestuesit kanë përcjellë mesazhe kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e Ramës.
Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje si “Bashkohuni studentë, kombi na thërret”, “Këtu vendosim ne”, “Nuk shitet Shqipëria, shitet qeveria” dhe “Ju erdhi fundi”.
Një thirrje e veçantë është drejtuar edhe ndaj Ergys Agasit, me protestuesit që kanë brohoritur: “Fikni radarët”.
Protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion dhe kriminalitet, ndërsa kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie tranzitore.
Në fjalën e tij gjatë protestës së 118-të, aktivisti Arben Kola ka hedhur akuza edhe për shpenzimet e kryeministrit Edi Rama dhe kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, gjatë qëndrimit të tyre në Nju Jork.
Sponsorizuar
Kola pretendoi se Rama ka prenotuar një dhomë hoteli me kosto 15 mijë dollarë nata, ndërsa sipas tij, Balla qëndron në një dhomë që kushton 10 mijë dollarë nata.
“Ne duhet të vazhdojmë me betejën se Rama do jetë te Asambleja e OKB-së Ramoviçi. Ndërkohë që pensionistët vuajnë, spitalet nuk kanë ilaçe, Rama fle në dhomë me 15 mijë dollarë nata, kurse Tao fle në dhomë me 10 mijë dollarë nata”, tha Kola.
Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie të re tranzitore dhe ndryshime kushtetuese.
“Ne duam dorëheqjen e kryeministrit Rama, të krijohet qeveri e re tranzitore, ndryshime kushtetuese, që ka marrë peng vendin që në vitin 2008, ku kryetarët e partive kanë shumë pushtet, kërkojmë që kryeministri të mos jetë në pushtet më shumë se dy mandate. Ne duam dorëheqje e vetëm dorëheqje”, u shpreh ai.
Marshimi vijon në rrugët e Tiranës, ndërsa protestuesit përsërisin thirrjet kundër qeverisë dhe kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama.