DITA 133/ Qytetarët kundër qeverisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Me thirrjet “Nesër më shumë” ka përfunduar protesta e 133-të kundër qeverisë, ndërsa qytetarët janë shprehur të vendosur se revolta nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.
Pas fjalimeve të mbajtura para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët e Tiranës, duke kaluar nga zona e Shallvareve drejt Unazës së Vogël.
Gjatë marshimit u dëgjuan thirrjet “Ju erdhi fundi” dhe “Shqipëria po bën revolucion”. Protestuesit përsëritën kërkesën për dorëheqjen e Ramës, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në largimin e tij nga pushteti.
Marshimi u ndal edhe pranë Bllokut të Sigurisë, në rrugën Mine Peza, ku qytetarët kërkuan lirimin e një protestuesi të ndaluar. Më pas, ata vijuan sërish marshimin në rrugët e kryeqytetit.
Ndërkohë, më 13 tetor është paralajmëruar një protestë e organizuar nga studentët, e cila pritet të mbahet në orën 14:00 para Ministrisë së Arsimit.a.b