E Martë, 3 Nëntor 2026

DITA 30/ Studentët marrin Universitetin, shpalosin banderolë gjigante: “Ju erdhi fundi!”

DITA 30/ Studentët marrin Universitetin, shpalosin banderolë gjigante: “Ju erdhi fundi!”

Ka nisur këtë të hënë protesta e 30-të kombëtare kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama. Qytetarët u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, prej nga marshuan drejt godinës së Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime dhe u përsërit kërkesa për dorëheqjen dhe hetimin e kreut të qeverisë.

Një nga momentet më të forta të protestës ishte aksioni i një grupi studentësh, të cilët shpalosën nga ballkoni i Universitetit Politeknik një banderolë gjigante me mbishkrimin: “Ju erdhi fundi!” dhe “Shqipëria nuk është në shitje”. Në shenjë revolte, studentët ndezën edhe flakadanë, ndërsa veprimi i tyre u shoqërua me duartrokitje dhe brohoritje nga protestuesit.

Sipas organizatorëve, ky ishte një mesazh se studentët nuk e kanë harruar protestën e vitit 2018, e konsideruar si lëvizja më e madhe studentore në vend që prej vitit 1991.

Gjatë tubimit foli edhe aktivisti Edison Lika, i cili e cilësoi lëvizjen qytetare si një goditje ndaj sistemit politik.

“Protesta goditi në zemër sistemin e vjetër. I ka dhënë goditje establishmentit politik, mediave të kapura dhe oligarkëve që e kanë mbajtur në pushtet”, deklaroi ai.

Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke theksuar se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja dhe hetimi i kryeministrit Edi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›