E Hënë, 2 Nëntor 2026

DITA 68/ Qytetarët marshojnë drejt ish-Bllokut: O milet, Rama ka siklet!

Protestuesit kanë vijuar marshimin në rrugët e Tiranës pas përfundimit të tubimit para Kryeministrisë, duke u drejtuar drejt zonës së ish-Bllokut. Për të 68-ën ditë radhazi, qytetarët kanë protestuar kundër qeverisë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, krijimin e një qeverie teknike 12-mujore dhe hetimin e kreut të qeverisë nga SPAK.

Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje si “Poshtë patronazhistët”, “Edi Rama jep dorëheqjen”, “Ju erdhi fundi”, “Parlament analfabet”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “Shqipëria e rinisë, jo e partisë” dhe “Rama në burg”, ndërsa protestuesit u kanë bërë thirrje qytetarëve të tjerë t’u bashkohen protestës.

Me pankarta dhe flamuj në duar, pjesëmarrësit marshuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke kënduar edhe këngë patriotike dhe duke theksuar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Protestuesit akuzojnë qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për keqqeverisje dhe korrupsion, ndërsa shprehen të vendosur të vijojnë protestat deri në largimin e qeverisë dhe realizimin e kërkesave të tyre. a.b

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›