E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mbyllet autostrada Tiranë-Durrës për 5 orë, çfarë pritet të ndodhë

Autoritetet kanë njoftuar se në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”, do të zbatohet një plan i përkohshëm i menaxhimit të trafikut gjatë netëve të 6 dhe 7 gushtit.

Sipas njoftimit, nga ora 00:00 deri në 04:30, do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit. Për këtë arsye dhe për garantimin e sigurisë rrugore, do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Durrës–Tiranë.

Gjatë këtij intervali, automjetet që udhëtojnë nga Durrësi drejt Tiranës, Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohen në rampat e autostradës Thumanë-Kashar.

Mjetet me destinacion aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar-Thumanë, ndërsa drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Tiranës do të orientohen përmes sinjalistikës së përkohshme në rrugën dytësore, duke u rikthyer në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit.

Autoritetet u kanë bërë apel drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës të tregojnë mirëkuptim dhe të respektojnë sinjalistikën e përkohshme gjatë zhvillimit të punimeve.a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›