E Hënë, 2 Nëntor 2026

DITA 69/ Qytetarët i bëjnë thirrje SPAK-ut të hetojë Ramën

Protesta kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama ka hyrë në ditën e 69-të, ndërsa qytetarët janë mbledhur sërish në Tiranë për të përsëritur kërkesat e tyre për dorëheqjen e kreut të qeverisë dhe hetimin e zyrtarëve të lartë.

Gjatë tubimit, protestuesit shpalosën një mesazh të drejtuar Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke kërkuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore ndaj kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë të qeverisë. Ata kërkuan gjithashtu vijimin e hetimeve për zyrtarët që ndodhen nën hetim për çështje të ndryshme, mes tyre edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Pas tubimit, protestuesit marshuan nga Bulevardi në drejtim të Rrugës së Elbasanit, duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë dhe pankarta.

Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si: “Shqipëria meriton revolucion”, “Shqipëria e shqiptarëve” dhe “Rama, jep dorëheqjen”.

Organizatorët deklaruan se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa pjesëmarrësit shprehën vendosmërinë për të vazhduar tubimet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›