E Hënë, 2 Nëntor 2026

Djegia e apartamentit në Vlorë, për konkurencë biznesi-shtëpi me qera

Policia e Vlorës ka zbardhur brenda 48 orëve autorësinë e djegies së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, një ngjarje që fillimisht u dyshua si aksidentale.

Në pranga ka rënë shtetasi B. H., 33 vjeç, i cili dyshohet se i ka vënë zjarrin derës së apartamentit në orët e para të mëngjesit të 4 gushtit. Sipas hetimeve paraprake, motivi i ngjarjes lidhet me konkurrencën, pasi autori i dyshuar dhe pronarët e banesës ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të qiradhënies së apartamenteve në Vlorë.

Në momentin e zjarrit, në apartament ndodheshin dy persona, vëlla e motër. Fatmirësisht, nga flakët nuk pati të lënduar, por u shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale.

Pas njoftimit të marrë rreth orës 02:40, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, kryen veprimet hetimore që çuan në identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›