E Enjte, 5 Nëntor 2026

DPD: Mbi kufirin e pataksueshëm për blerjet online kryhet deklarim doganor

TIRANË 12 korrik/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Doganave rikujtoi sot qytetarët për detyrimet për blerjet online apo dërgesat postare.

DPD bëri të ditur se mbi kufirin e pataksueshëm kryhet deklarim doganor nëpërmjet procedurës së deklarimit të thjeshtuar.

Kufiri i pataksueshëm i vlerës së mallrave, të natyrës jotregtare për përdorim personal apo familjar, apo të ardhura nga blerjet online është 22 euro.

Këtu bëhet fjalë vetëm për vlerën e mallrave të faturuar, pa përfshirë shpenzimet e transportit apo tarifat postare.

Për dërgesa postare nga individë jashtë territorit shqiptar kufiri i pataksueshëm për dërgesat postare është 45 euro. Këtu bëhet fjalë për vlerën e deklaruar në nisje nga dërguesi i mallrave pa përfshirë shpenzimet e transportit apo tarifat postare.

Për mallrat me vlerë mbi kufijtë e sipërpërmendur, detyrimisht duhet të paguhen detyrimet doganore të importit. Në përcaktimin e këtyre detyrimeve përfshihet krahas vlerës së mallit edhe shpenzimet e transportit.

“Për të gjitha blerjet online apo dërgesat postare mbi kufirin e pataksueshëm kryhet deklarim doganor nëpërmjet procedurës së deklarimit të thjeshtuar. Ky deklarim kryhet nga operatorët postarë dhe në shumicën e rasteve konsiderohet si shërbim i kryer nga këta të fundit. Çdo tarifë e arkëtuar për këtë shërbim apo për dërgimin e mallrave deri te pritësi nuk është pjesë e detyrimeve doganore të importit e për rrjedhojë nuk është përgjegjësi e autoriteteve doganore por e operatorit postar”, bën të ditur DPD.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›