DPSHTRR: Në 5 vjet, mbi 490 mijë mjete u refuzuan pas kontrollit teknik

TIRANË, 2 shtator /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) publikoi sot punët dhe reformat në kuadër të sigurisë rrugore dhe edukimit të drejtuesve të mjeteve në këto 5 vitet e fundit.
Me një strategji të qartë dhe qasje të bazuar në teknologji, disiplinë dhe edukim, DPSHTRR ka shënuar progres të prekshëm në reduktimin e rrezikut në rrugë.
DPSHTRR thekson se, me fokus rritjen e sigurisë rrugore në periudhën 2020–2025, ka realizuar 234 aktivitete edukative në të gjithë vendin me 10,592 pjesëmarrës, kryesisht fëmijë dhe të rinj të cilët janë njohur me rregullat bazë të qarkullimit rrugor.
Investimet e reja (2020- 2025) i kanë ndërtuar poligonet publike të testimit praktik për lejedrejtimi me standarde europiane.
Kështu, qendrat e testimit në Vlorë dhe Fushë-Prezë janë kthyer në modele të trajnimit modern. 25,000 pjesëmarrës çdo vit përgatiten profesionalisht për marrjen e lejes së drejtimit. Vetëm në 7 muajt e parë të 2025, janë trajnuar 12,000 qytetarë dhe në total për periudhën 2023–2025 pritet të kalojë 75,000 pjesëmarrës.
Një tjetër angazhim i DPSHTRR-së i ndërmarrë prej vitit 2022, është rikthimi në rrugë me disiplinë si dhe proces rigoroz rikualifikimi për të gjithë drejtuesit që kanë humbur të gjitha pikët e lejes së drejtimit i cili shërben jo vetëm si një mundësi e dytë por edhe si një mësim i fortë për përgjegjësinë në rrugë.
Sipas DPSHTRR-së, që prej vitit 2022 janë 2,359 riregjistrime, vetëm 13,4% kanë kaluar testin duke garantuar që në rrugë të kthehen vetëm drejtues të disiplinuar.Sa i takon kontrollit teknik, DPSHTRR thekson se gjendja teknike e mjetit është shtylla e sigurisë rrugore, kontrolli teknik garanton mjete më të sigurta dhe një mjedis më të pastër.
Gjatë periudhës 2020–2025, janë realizuar:1,647,276 testime teknike të mjeteve;
490,112 mjete janë refuzuar, duke parandaluar rreziqe në rrugë dhe ndotje të panevojshme.
DPSHTRR thekson se siguria rrugore është përgjegjësi e përbashkët, dhe fton institucionet publike, autoritetet vendore, shkollat dhe komunitetin arsimor, shoqërinë civile dhe vetë qytetarët, që të kontribuojnë në ndërtimin e një kulture të qëndrueshme rrugore.
Me standarde të reja, kontrolle të rrepta dhe edukim të vazhdueshëm, DPSHTRR vazhdon të jetë motori i transformimit të transportit rrugor në Shqipëri. /j.p/