E Diel, 1 Nëntor 2026

DPT: 415 mijë orë pune të kursyera në mars nga shërbimet tatimore online

TIRANË, 11 prill /ATSH/ Administrata Tatimore e Shqipërisë njoftoi se shërbimet online kanë vijuar të sjellin lehtësi të ndjeshme për qytetarët dhe bizneset, duke kursyer rreth 415 mijë orë pune vetëm gjatë muajit mars 2026, falë përdorimit të platformës e-Albania dhe shërbimeve elektronike tatimore.

Sipas të dhënave zyrtare, shërbimet më të përdorura gjatë kësaj periudhe kanë qenë vërtetimi për pagimin e kontributeve me 192,082 aplikime, vërtetimi i pagesës me 171,513 aplikime, vërtetimi për pagim detyrimesh me 26,495 aplikime, vërtetimi i xhiros për tre vitet e fundit me 19,544 aplikime, si dhe vërtetimi i statusit aktiv/pasiv me 5,734 aplikime.

Administrata Tatimore vlerëson se rritja e përdorimit të shërbimeve digjitale tregon besimin në sistemet online dhe ka ndikuar në uljen e ndjeshme të kohës së pritjes dhe procedurave burokratike.

AT thekson se do të vijojë zgjerimin e mëtejshëm të shërbimeve elektronike me synim përmirësimin e aksesit dhe rritjen e efikasitetit për qytetarët dhe bizneset. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›