E Diel, 1 Nëntor 2026

DURRËS/ Goditet trafikimi i armëve nga Kosova, arrestohen dy persona

Finalizohet në Durrës operacioni policor i koduar “Hallkat”, kundër trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre te grupe kriminale.

Në kuadër të operacionit janë arrestuar në flagrancë dy persona. Në pranga ka rënë M. B., 34 vjeç, banues në Kukës, i dyshuar për trafikimin e armëve dhe municionit, si dhe për mbajtjen pa leje të armëve të ftohta.

Gjithashtu është arrestuar D. N., 39 vjeçe, banuese në Prizren, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Policia ndërhyri në Maminas, ku gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin dy të arrestuarit u gjetën 3 pistoleta dhe 34 fishekë luftarakë, të cilat dyshohet se ishin trafikuar nga Kosova.

Kontrolli vijoi edhe në banesën e 34-vjeçarit, ku u sekuestrua një armë e ftohtë, dorezë hekuri.

Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Durrës, në kuadër të hetimeve për parandalimin e trafikimit të armëve që dyshohet se synonin tregun kriminal në qytete të ndryshme të vendit.

Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.a.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›