Daçiq: Kosova mund të qeverisë veriun vetëm me armë

Serbia porosit Kosovën se mund të qeverisë pjesën veriore të territorit të saj, vetëm nëse përdor armët dhe forcën, sepse përndryshe autoritetin e saj nuk mund ta ushtrojë atje.
Porosinë e dha vetë kryeministri serb, Ivica Daçiq, i cili tha të martën paradite se njëjtë si Prishtina, as Beogradi nuk mund të ketë qeverisje në pjesë tjera të Kosovës, përpos veriut, nëse nuk përdor konflikt të armatosur, si mjet për të arritur qëllimet.
“Serbia nuk ka pushtet faktik në një pjesë të Kosovës, njëjtë siç Prishtina nuk ka pushtet faktik në veri të Kosovës. Dhe që, nëse Serbia do të donte të kthente pushtetin e saj në këtë pjesë të Kosovës, për shembull në Prishtinë, atëherë do të duhej ta bënte këtë vetëm me armë", citon qik-u Daçiqin.
"Nëse (kryeministri i Kosovës Hashim), Thaçi do të donte që Mitrovica veriore, të qeveriset nga Qeveria në Prishtinë, ai do të mund ta arrinte këtë, dhe duhet ta bëjë këtë, vetëm me armë. Për çfarë dialogu pra, dhe zgjidhje paqësore po flasim, nëse këto janë opsionet tona të vetme?”, tha Daçiq.
Në një konferencë të jashtëzakonshme për media në Beograd, pas kthimit të delegacionit të lartë shtetëror nga Brukseli, kryeministri serb tha se Serbia për dallim nga Kosova, është e gatshme për kompromis.
Ndërkaq, shefi i Qeverisë në Beograd, sqaroi se ku qëndron problemi që po e pamundëson arritjen e marrëveshjes me Prishtinën.
“Serbia është e gatshme për marrëveshje. Por, kjo marrëveshje nuk mund të jetë brenda kornizave të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, por duhet të jetë një marrëveshje politike, në të cilën merr pjesë bashkësia ndërkombëtare, me garanci ndërkombëtare. Sepse me këtë gjë, ndër të tjera, përjashtohet edhe mundësia e një konflikti të armatosur”, u shpreh Daçiq./Indeksonline/