E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daçiq: Unë e hodha poshtë planin e Brukselit për veriun

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic ka thënë se në takimin e kreut shtetëror serb të hënën në Bruksel me zyrtarët e BE-së nuk pret se do të bëhet presion mbi ta, por që të qartësohet nëse është e mundur të gjendet një zgjidhje për veriun e Kosovës.

Ai ka thënë se në takimin e parafundit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, me kryeministrin e Kosovës, kishte refuzuar të nënshkruajë një dokument me parimet e përgjithshme për veriun e Kosovës.
Në një intervistë për gazetën beogradase “Blic”.

Daçiq ka thënë se në takimin e parafundit ka pasur një propozim që të arrihet marrëveshja për disa parime të përgjithshme lidhur me veriun e Kosovës, por të cilat, sipas tij nuk kanë paraparë pushtet ekzekutiv për serbët në veri.

“Nuk kam dashur të nënshkruaj. Mund të më ofrojë kush të dojë dhe çfarë të dojë, por asnjëherë nuk do të nënshkruaj diçka që nuk është e mirë për Serbinë dhe që nuk siguron funksionimin dhe ekzistencën e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovës. Pra refuzova të nënshkruaj”, ka thënë Daçiq.

Ai ka thënë se Serbia nuk do të pranojë asnjë propozim që nuk siguron pushtet ekzekutiv për Bashkësinë e komunave serbe në veri.

Sipas tij modeli i tyre për Bashkësinë e komunave serbe në veri do zgjidhte të gjitha çështjet e hapura, para së gjithash problemin e institucioneve paralele, për çfarë insiston edhe Brukseli.

“Mirëpo dialogu nuk nënkupton se nga ne kërkohet të pranojmë Kushtetutën e Kosovës. Unë diçka të tillë nuk mund të pranoj, sepse atëherë bashkësisë serbe nuk i mbeten kurrfarë kompetencash”.

Ai tha se Prishtina e ka përkrahjen e SHBA-së që gjithçka që ofrojnë të jetë e bazuar në ligjet e tyre.

“Në rregull atëherë, por pse pra po bisedojmë dhe pse Serbia po merr pjesë në to. Le të ulen atëherë më serbët e Kosovës dhe le t’i zgjidhin çështjet e ligjeve. Por, nëse duan bisedime me neve atëherë kjo është një marrëveshje e veçantë politike, por jo që bisedimet të shkojnë në atë drejtim që ne t’i detyrojmë serbët në Kosovë që të pranojnë atë që shkruan në ligjet e atjeshme”, tha ai. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›