E Diel, 1 Nëntor 2026

Daçiç: Marrëveshjet me Kosovën po ndryshojnë

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka takuar Sekretarin e Jashtëm të Britanisë, William Hague me të cilin kanë diskutuar edhe për Kosovën.
 

Daçiç ka thënë se qeveria e re serbe, dëshiron ti zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel me Prishtinën, por ka thënë se “nuk dëshiron që diçka që arrihet të ndryshojë pas një kohe”.
 

“Të jem i qartë, ne nuk do gënjejmë as komunitetin ndërkombëtar, as popullin tonë. Marrëveshjet që janë arritur duhet të zbatohen por ne nuk mund të pajtohemi me një çështje, e cila më vonë komplet ndryshohet”, ka thënë Daçiç duke iu referuar qasjes ndaj marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
 

Daçiç ka folur me Hague edhe për rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian, duke thënë se Serbia është duke pritur datën e fillimit të bisedimeve me Brukselin për anëtarësim në BE.
 

Daçiç komentet e tij, i ka bërë në Londër, ku gjatë fundjavës do të takojë zyrtarë të lartë të Britanisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›