Raporti i Ban Ki-moon, nuk janë zbatuar marrëveshjet

Raporti i fundit i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon për Kosovën bën një vlerësim të përmbushjes së pjesshme dhe të munguar të marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë në dialogun e deritanishëm teknik të udhëhequr nga Bashkimi Europian.
Për bashkëpunimin rajonal, Ban Ki moon thotë se marrëveshja nuk ka përcaktuar në mënyrë precize përdorimin e fusnotës dhe me interpretime të ndryshme nga palët ka çuar në probleme në pjesëmarrjen e institucioneve të Prishtinës dhe Beogradit në një seri takimesh rajonale.
Sipas mediave kosovare në raport theksohet se marrëveshja për lëvizjen e lirë ka mundësuar që qytetarët të udhëtojnë në territoret e dy vendeve, por nuk është zgjidhur çështja e pagesës për sigurinë e automjeteve, ndërsa mbetet problematike edhe çështja e targave të automjeteve dhe ndalimi nga ana e autoriteteve të Kosovës, i përdorimit të targave serbe.
Për çertifikimin e diplomave, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së thotë se ka pasur progres në zbatimin e kësaj marrëveshje dhe më 27 qershor Shoqata e Universiteteve Evropiane ka certifikuar diplomat e para të dhëna nga institucionet e arsimit të lartë në Kosovë.
Për librat e regjistrimit civil thuhet se programi pilot ka filluar më 10 maj dhe janë certifikuar 111 libra që mbulojnë territorin e Janjevës dhe Lipjanit, ndërkaq kjo marrëveshje pritet të përmbushet brenda 12 muajve në gjithë territorin e Kosovës dhe do të përfshijë rreth 14 mijë libra të regjistrimit civilë.
Për shënimet katastrale raporti thekson se po shqyrtohet kopjimi i dokumenteve katastrale që janë në Beograd por zbatimi varet nga nxjerrja e një ligji përkatës në Prishtinë që do të krijonte një agjenci teknike, e cila megjithatë po vonohet. Ajo që mbetet një problem është menaxhimi i integruar i pikë-kalimeve, ku sekretari i përgjithshëm i OKB-së thotë se është shënuar progres i vogël, pasi Beogradi ende nuk e ka nënshkruar protokollin teknik përzbatimin e konkluzioneve të dialogut.
Për lëvizjen e lirë të mallrave thuhet se zbatimi i saj ka qenë i kënaqshëm me përjashtim të dy pikave të kalimit në veri të Kosovës. Raportin më të ri të sekretarit Ban do ta shqyrtojë Këshilli i Sigurimit në seancën e planifikuar më 21 gusht.