Daçiç: Serbia rrezikon ta humbë Kosovën

Vetëm disa ditë pasi zhvilloi takimin në Bruksel me kryeministrin kosovar Hashim Thaçi, kryeministri serb Ivica Daçiç deklaron se Serbia rrezikon ta humbë Kosovën.
Në një intervistë për televizionin shtetëror serb, Daçiç theksoi se delegacioni serb duhet të fitojë pikë në procesin e bisedimeve me Kosovën ndërsa ka tërhequr vërejtjen kundër izolimit të Serbisë.
“Kundër Thaçit, kam luftuar, dhe po të mos ishte bashkësia ndërkombëtare, sigurisht se edhe do të fitoja. Nga viti në vit, duke humbur kohën, Serbia ngadalë po humb Kosovën. Mund të sillemi si Greqia dhe të themi se Konstaninopoja është kryeqytet grek, por ajo më nuk është, ndërsa ata flasin për këtë prej 100 vjetësh”, ka thënë Daçiç për televizionin shtetëror serb.
Ai ka thënë se platforma për bisedime mbi Kosovën duhet të jetë fleksibile dhe t`i përgjigjet rrethanave në të cilën gjendet Serbia. Daçiç ka theksuar se Serbia duhet të gjejë zgjidhje për Kosovë, sepse sipas tij, Kosova është problem në të gjitha segmentet.
Ai ka pranuar se në bisedimet e ardhshme, statusi nuk do të jetë temë qëndrore. “Nuk jam i sigurt se tema e statusit do të jetë temë qendrore, por përmirësimi i marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës”, është shprehur kryeministri serb.